E Diel, 1 Nëntor 2026

Supermashtruesi u merr biznesmenëve 30 mijë euro

 KORçE/ GEZIM ASHIMIBiznesmenët korçarë bien pre e një supermashtruesi në shuma të konsiderueshme eurosh. Gjithçka ndodhi gjatë ditëve të festave, në datën 1 dhe 2 janar. Një djalë i ri rreth të 30-tave, u paraqit si një biznesmen i madh në Korçë duke u prezantuar me emrin Eduart Dibra, nga Shkodra. I veshur me kostum, një portofol të mbushur me para dhe telefonata me njerëz “të mëdhenj” jo vetëm në botën e biznesit, por edhe të politikës, i riu ka arritur të mashtrojë biznesmenët më të fuqishëm të Korçës. Me oratorinë e tij tepër diplomate, por edhe mashtrimet se ai kishte njohje e lidhje me politikanë e biznesmenë, ai ka mundur jo vetëm të depërtojë te sipërmarrësit korçarë, por madje edhe t’iu mbushë mendjen atyre që t’i huazojnë shuma parash. Me të njëjtën formë mashtrimi mendohet se “shkodrani” ka arritur të tërheqë disa blloqe çeqesh boshe në një nga bankat e këtij qyteti. Mësohet se Dibra i ka tërhequr blloqet paraprakisht, duke u hequr se për momentin nuk kishte pasaportën me vete. Biznesmenët e mashtruar pranuan për gazetën marifetin që iu punoi i riu. Por dyshohet se mund të ketë edhe shumë të tjerë, të cilët po presin të marrin çeqet e premtuara prej tij në bankë. Burime nga banka bënë të ditur se deri më tani janë paraqitur 4 biznesmenë me qëllim për të tërhequr paratë, ashtu sikurse kishin kryer kontratën, të cilat në total janë 30 mijë euro. Por pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se llogaria e hapur me emrin Eduart Dibra është bosh, madje emri i tij rezulton i rremë. Biznesmenët që pranuan mashtrimin u shprehën se ende nuk kanë kryer denoncim në polici, pasi shpresojnë që të mund ta gjejnë të riun dhe të negociojnë që ai t’iu kthejë paratë. Mësohet se Dibra nuk e ka mbyllur numrin telefonik me të cilin ka kontaktuar fillimisht me biznesmenët. Ai është larguar nga qyteti dhe nëpërmjet kontaktit telefonik u ka pohuar biznesmenëve se i kishte mashtruar dhe se nuk kishte para që t’u shlyente borxhin. Një nga biznesmenët, pronar i një prej hoteleve më të mëdha në Korçë, si dhe i një televizioni lokal, u shpreh se mashtruesi ishte strehuar në hotelin e tij bashkë me një femër. Portreti i qartë i 30-vjeçarit është fiksuar në kamerat e sigurisë së këtij hoteli, e cila mund t’i shpërbejë policisë kur të nisë hetimet. Biznesmeni i mashtruar nuk ka dëshirë të identifikohet, madje as sipërmarrësit e tjerë që pësuan të njëjtën gjë. Fenomeni që i ngjason supermashtruesit, Indrit Aliaj, i ka lënë me gisht në gojë ata. Njëri prej tyre, B.Dh, pronar i një fabrike, u shpreh dje se do ta kishte pësuar si të mashtruarit e tjerë, por duke qenë se ai e kishte pësuar edhe më parë një mashtrim të tillë, kishte bërë verifikime në bankë, para si t’i huazonte para personit me të cilin më pas do të bëheshin edhe “ortakë”. Ilo Kotonika, drejtor i BKT-së në Korçë, konfirmon se tek institucioni që ai drejton janë paraqitur katër qytetarë me çeqe të firmosura nën emrin Eduart Dibra, dhe kanë kërkuar të tërheqin para, të cilave ai ua kishte marrë në formë borxhi. Në një rast tjetër, Dibra ka lëshuar çek me shumë 10 mijë euro, për të blerë një makinë luksoze në qytetin e Korçës. Por, pronari i makinës, para se t’i dorëzonte mjetin është interesuar në bankë dhe aty ka mësuar se për personin Eduart Dibra nuk kishte asnjë gjendje në llogarinë bankare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›