E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Spanja mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

 Spanja gjatë presidencës së BE-së do të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, vendit që mban presidencën e radhës së BE-së, zhvilloi dje një takim të posaçëm me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, duke i konfirmuar mbështetjen ndaj Shqipërisë në proceset integruese. Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Punës së Jashtme bën të ditur se në këtë takim ishte prezent dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Helmut Lohan. Në qendër të takimit ishin bisedimet lidhur me prioritetet e presidencës spanjolle të Bashkimit Evropian gjatë 6 mujorit të parë të 2010. Në këtë kontekst, ambasadorët Montobio dhe Lohan e informuan kryediplomatin Meta edhe mbi ndryshimet e reja strukturore të Bashkimit Evropian, pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës si dhe për vendosjen e kanaleve të komunikimit gjatë periudhës tranzitore të Presidencës spanjolle. Meta i siguroi ambasadorët për një bashkëpunim të hapur, të ngushtë dhe konstruktiv nga ana e Qeverisë shqiptare, duke theksuar se gjatë muajve të ardhshëm, Qeveria do të vazhdojë të ndjekë me prioritet tre sfidat imediate të integrimit të vendit, që janë plotësimi në kohë i Pyetësorit të KE, mbyllja e etapave të fundit për liberalizimin e vizave dhe zbatimi i rekomandimeve të Progres Raportit të fundit të Bashkimit Evropian. Dy ambasadorët Montobio dhe Lohan, e siguruan zv. kryeministrin për mbështetjen e plotë të Unionit në realizimin e këtyre objektivave madhore për Shqipërinë. Spanja do ta drejtojë Presidencën e BE-së deri në qershor të vitit 2010. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka shpallur si synim kryesor të sajin heqjen e regjimit të vizave me shtetet e BE-së. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka nisur procesin e pajisjes së pasaportave biometrike, si një nga kushtet kryesore për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave. Përpara Spanjës, Presidencën e BE-së e ka kishte Suedia. Gjatë Presidencës suedeze, Shqipëria mori pyetësorin për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Qeveria shqiptare shpreson të dorëzojë këtë pyetësor brenda këtij gjashtë mujori, për të marrë më pas dhe vlerësimet përkatëse nga KE-ja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›