"Live Aid 8" Bëjeni varfërinë histori
08/06/2005 McCartney, "Stones", "U2", Madonna dhe Prince bashkohen në organizimin e një koncerti "Live Aid II", bëjnë të ditur gazetat britanike. Emrat më të njohur të muzikës rok, si Paul McCartney, "Rolling Stones", "U2", Madonna dhe Prince, mendojnë të zhvillojnë në korrik një tjetër koncert madhështor, në të njëjtin stil me atë të zhvilluar në vitin 1985, për të ndihmuar vendet e varfëra, koncert që u quajt "Live Aid". Eshtë menduar gjithashtu që ngjarja të bëhet e ditur nga këngëtari irlandez i pop-it dhe njëkohësisht aktivisti i shquar për të ndihmuar vendet e pazhvilluara, Bob Geldof. Zhvillimi i këtij aktiviteti është konfirmuar jo vetëm nga organizatorët, por edhe nga këngëtarët dhe grupet pjesëmarrës në këtë koncert, që do të bëhet në datën 2 korrik. Koncerti, ashtu sikundër edhe i pari, do të zhvillohet njëkohësisht në Londër, Filadelfia dhe mundësisht edhe në vende të tjera. Shtypi britanik bën të ditur se pjesëmarrja e grupit të vajzave britanike "Spice Girls", është kundërshtuar nga organizatorët, pasi nuk konsiderohen si një simbol domethënës për një koncert të tillë, ku do të marrin pjesë edhe grupe legjendë, si veteranët e rokut britanik "Pink Floyd" apo "Rolling Stones". Pavarësisht se ky koncert do të jetë pasuesi i të parit, të zhvilluar në vitin '85, ku Bob Geldof ishte oganizatori, qëllimi i këtij eventi do të jetë i ndryshëm. Ai do të titullohet "Live 8" dhe do të organizohet pak ditë para samitit të Grupit të të 8 vendeve më të industrializura, që do të zhvillohet nga 6-8 korrik, në Gleneagles të Skocisë (G8). Motoja e këtij koncerti, që e bën të ndryshme nga ai i pari, është "Bëjeni varfërinë histori" dhe synon më shumë ndërgjegjësimin e vendeve të industrializuara për varfërinë që sundon në mjaft pika të globit, se sa mbledhjen e ndihmave monetare, pra në ushtrimin e presionit për të investuar në vendet më të varfëra dhe jo thjeshtë dërgimin e ndihmave humanitare. Natyrisht që nëpërmjet satelitit koncerti do të transmetohet, por edhe do të përshëndetet nga vende të ndryshme si Franca, Gjermania dhe Afrika e Jugut. Lideri vokal i grupit "U2", Bono, është shprehur se zhvillimi i koncertit është vendosur në minutën e fundit, pas shumë përpjekjeve të tij për të. "Geldof, për dy vite me radhë më përgjigjej jo për organizimin e këtij koncerti dhe vetëm para gjashtë javësh u bind përfundimisht", ka thënë Bono për shtypin britanik, duke shtuar se "tani më duhet të shpenzoj çdo sekondë për të mundësuar ardhjen e shumë muzikantëve nga e gjithë Bota. Grupet apo këngëtarët amerikanë duan t'i planifikojnë veprimtaritë e tyre të paktën gjashtë muaj para, jo më në gjashtë javë, që është tmerrësisht e vështirë t'i organizosh". Kanali britanik "BBC", është përzgjedhur për transmetimin e ngjarjes së dytë më gjigande të muzikës rok në Botë.
Përgatiti: Leonard Olli
Përgatiti: Leonard Olli