E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liverpuli është në shitje, rrezik eksodi te Reds

Borxhet Pronarët Hiks e Gilet thonë lamtumirë, kanë nisur procedurat e shitjes

Më në fund, dy amerikanët e kanë vendosur: Liverpul është në shitje. Në fakt, Tom Hiks e Xhorxh Gilet i kanë besuar presidentit të ri, Martin Brughton, bosit të “British Airways”, detyrën e mbikëqyrjes dhe transferimit të klubit, i cili do të kalojë nën kontrollin e “Barclays Bank”, së cilës dy amerikanët i kanë kërkuar ndihmë të kujdeset për fazën e shitjes. Të dielën, “Times” kishte njoftuar se ishte gati të investonte 300 milionë sterlina (baras me 342 milionë euro) për të rifinancuar klubin (për të blerë borxhin prej 237 milionë sterlinash, mbi 270 milionë euro, me “Royal Bank of Scotland e Wachovia” dhe do të ofronte edhe para të tjera). “Duke pasur në pronësi Liverpulin në këto tre vitet e fundit, ka qenë një eksperiencë shumë e dobishme dhe emocionuese si për ne, ashtu edhe për familjet tona, lexohet në deklaratën e përbashkët të Hiks e Gilet në sajtin e ‘Reds’-ave. Por, pasi kemi ardhur me klubin deri në këtë pikë, kemi vendosur që t’jua shesim personave të interesuar, të cilët të mund ta çojnë në nivele akoma edhe më të larta. Jemi të lumtur që Martin Brughton ka pranuar të marrë detyrën e presidentit: reputacioni i tij si njeri i biznesit është i shkëlqyer dhe si një tifoz i vërtetë, prandaj do ta mbikëqyrë procesin e shitjes në interes të të gjithëve”. Nga ana e tij, bosi i ri është shprehur “entuziast dhe i nderuar” nga detyra e re. “Liverpuli është një klub i madh, me një histori fantastike mbi shpatulla. Do menaxhoj shitjen në mënyrën e duhur, duke kërkuar pronarë të rinj, që të jenë të aftë të afrojnë garancitë më të mira ekonomike për të konkurruar për arritjen e sukseseve të reja dhe të rëndësishme sportive”. Sipas “Mirror Sport”, një blerës i mundshëm ekziston tashmë: bëhet fjalë për biznesmenin sirian, Yahya Kirdi, që sipas ish-kapitenit të Sëlltikut, Andy Lynch, tani është “në një fazë shumë të avancuar të tratativave me Hiks e Gilet”. Një ditë më parë është folur edhe për një pistë kineze. Por ky lajm krijon një kaos në klub, pasi nuk është e sigurt se çfarë do të bëhet me yjet si Torres, Xherrard, Maskerano etj. Do qëndrojnë, apo do ikin?

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›