Probleme me gjurin, Duro mungon në sfidën me Omonian
Klodian Duro nuk do të jetë i pranishëm në sfidën e së dielës, ku Apollon Limasol do të ndeshet me Omonia Nikosian. Lojtari i Kombëtares shqiptare nuk është stërvitur me skuadrën gjatë gjithë kësaj jave, për shkak të shqetësimeve në ligamentet e gjurit. 33-vjeçari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar, por nuk ka arritur të rikuperohet në kohë për takimin kundër skuadrës me të cilën militonte përpara këtij sezoni. Sipas stafit mjekësor, Duro duhet të presë edhe 10 deri më 15 ditë për të kaluar plotësisht lëndimin. Omonia kryeson Divizionin e Parë qipriot me 66 pikë të grumbulluara pas 28 javësh dhe është fare pranë titullit kampion. Në anën tjetër, Apolloni renditet në vendin e katërt, me 57 pikë dhe synon një vend në kupat e Europës. Të dielën në kampionatin qipriot do të luhet edhe sfida Anorthosis-APOEL, me ekipin nga Famagustra që kërkon të mbajë gjallë shpresat për titull, ndërsa miqtë nga Nikosia që duhet të mbrojnë vendin e tretë. Ky është edhe një derbi ndërmjet portierit Arjan Beqaj dhe mbrojtësit, Altin Haxhi.
#