E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid, Runi e Kapelo në shënjestër

Ofertë 102 milionë euro për sulmuesin, në total operacioni kushton 175 milionë euro

Florentino Perez nuk “ngopet”. Eliminimi i parakohshëm nga Champions League, turpërimi në Kupën e Mbretit dhe humbja në “Santiago Bernabeu” me Barçën, që mund ta lërë Realin e Madridit pa asnjë trofe në këtë sezon, kanë bërë që presidenti të hapë sërish thesin në merkato. Për më tepër, edhe paraqitjet jo në nivelet e pritura të Kakasë, Benzemasë dhe Kristiano Ronaldos e shtyjnë njëshin “merengue” të investojë sërish për afrimin e yjeve në skuadër. Sipas tabloidit britanik, “The Sun”, Reali është gati të shpenzojë plot 175 milionë euro për të transferuar Uejn Runin në La Liga. Ndërkohë, Fabio Kapelo cilësohet si kandidati më potencial për të marrë drejtimin e skuadrës, pavarësisht se trajneri italian është nën kontratë deri në vitin 2012 me përfaqësuesen angleze.
Sulmuesi i Mançester Junajtid është objektivi kryesor i Perez, edhe pse Runi po përjeton sezonin më të mirë në “Olld Traford”. Deri më tani, ai ka shënuar plot 34 gola në të gjitha aktivitetet ku është aktivizuar, ndërsa pritet të kthehet në fushë pas dëmtimit në derbin që “Djajtë e Kuq” do të luajnë sot (ora 13:45) në fushën e kushërinjve të Mançester Sitit. Për të siguruar shërbimet e 24-vjeçarit, drejtuesi i Realit të Madridit është i gatshëm të paraqesë në tryezën e Sër Aleks Ferguson një ofertë të jashtëzakonshme: 102 milionë euro (90 milionë sterlina) për kartonin e lojtarit. Ndërkohë, kostoja e përgjithshme e operacionit kap shifrën e 175 milionë eurove, pasi Runit do t’i ofrohet kontratë 5-vjeçare me vlerë 73 milionë euro (65 milionë sterlina), nga e cila ylli anglez do të përfitojë 14.6 milionë euro në sezon (13 milionë sterlina). Në anën tjetër, trajneri Ferguson ka theksuar se Runi do të qëndrojë te Junajtid, edhe pse situata mund të ndryshojë nëse oferta bëhet zyrtare. “Uejn ka punuar shumë gjatë këtyre ditëve dhe për prezencën e tij në fushë kundër Sitit do të vendosim të shtunën (sot)”, deklaroi tekniku skocez. “Ky është sezoni i spekulimeve të merkatos, gjithmonë qarkullojnë zëra për transferimet në fund të kampionatit. Runi do të luajë me Mançesterin edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa nuk mendojmë të bëjmë ndryshime të mëdha në skuadër: kemi një kontingjent cilësor, duhet të përmirësojmë vetëm një ose dy gjëra”.

Për stolin, alternativa më e mirë është Fabio Kapelo. Në të dyja rastet që ka drejtuar Realin, 63-vjeçari ka fituar La Ligan duke përdorur “dorën e hekurt”. Italiani duket në avantazh, edhe sepse tashmë, më tepër se kurrë në Madrid kërkohet një trajner me aftësi të mira drejtuese dhe i nivelit të lartë. Perez po mendon t’i bëjë një propozim konkret “Don Fabios”, nëse Manuel Pelegrini do ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe. Nga ana tjetër, trajneri ka lënë gjithçka të hapur për sa i takon së ardhmes: “Më pëlqejnë sfidat e reja, ishte komenti i Kapelos. Nuk do të mbyll asnjë derë”. Drejtuesi aktual i stolit të Anglisë ka kaluar Zhoze Murinjon dhe Rafa Benitez, dy kandidatë të tjerë potencialë për pankinën në “Berbaneu”. Ndërkohë, Horge Valdano, drejtori i përgjithshëm i Realit, ka folur për një “surprizë” në rast të ndërrimit të trajnerit. “Pelegrini edhe mund të qëndrojë në skuadër, megjithatë trajneri i Realit për sezonin e ardhshëm do të jetë një surprizë, shpjegoi ai. Ende nuk po kërkojmë një teknik për të ardhmen, por ndoshta dikush mund të habitet”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›