E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veshtullat politike

Zhvillimet e fundit politike i ngjajnë një stuhie, të cilën, për hir të së vërtetës, nuk është hera e parë që e përjetojmë në këto vite e që kemi dëshirë t‘i konsiderojmë me një mendjelehtësi të admirueshme si "vite tranzicioni". Por për hir të së vërtetës këtë radhë ka një ndryshim, pasi deri tani asnjë herë nuk ka ndodhur që kjo "stuhi" të ngrihej në mesin e mandatit qeverisës të një force politike dhe vetëm disa muaj pas zgjedhjes së vështirë të Presidentit.

Por përpara se të shkojmë te shkaqet reale të kësaj "stuhie", do të lipsej të bëhej një panoramë e shpejtë e asaj që po ndodh tash e gjithë ditën në sytë tanë. Mazhoranca është lëkundur thellësisht politikisht më shumë, për shkak të Gërdecit, se sa për shkak të ndryshimeve të mundshme në kabinet, në Kodin Zgjedhor apo qoftë edhe në Kushtetutë. Opozita minimalisht është e fragmentarizuar në tri kolona, që kanë së paku tre liderë potencialë dhe gara mes këtyre segmenteve është se cili do të vrapojë që i pari t‘i ofrojë shërbimet qeverisë.

Shoqëria civile hesht, sigurisht në mënyrë tepër civile. Çmimet rriten dhe shteti shtiret dorëjashtë, sikurse thonë përfaqësuesit e tij: në emër të respektimit të lirisë së tregut e të iniciativës së lirë. Debatet politike në Parlament janë përfundimisht pa bojë dhe manifestimet e opozitës qesharake, pasi përpiqen që të bashkojnë në të njëjtën sofër hajesh dasmën e babait (ftesën në NATO), me vdekjen e motrës (tragjedinë e Gërdecit) (!!!).

E, ndërsa Rama bredh nëpër ekstremet e vendit me një tufë "enciklikash" në dorë, duke u premtuar qytetarëve se ata do të jenë përpiluesit e programeve qeverisëse; ndërsa Meta pretendon se duke tërhequr një pjesë të mirë të anëtarësisë do të shndërrohet në forcën e parë të së majtës; Berisha deklaron me këmbëngulje të admirueshme se do të respektojë çdo propozim të opozitës dhe vetëm të opozitës. Madje, jo një herë gjatë muajve të fundit, ai ka theksuar se ndryshësia e mendimit është prova e lirisë dhe e demokracisë edhe në gjirin e mazhorancës.

Veshët e shqiptarëve çahen tash e gjithë ditën për ndarje që nuk ekzistojnë, për shpërthime personalitetesh pa personalitet, për përmbysje sistemesh që nuk mund të përmbysen, veçse në rënçim edhe një herë në diktaturë… Veshët e shqiptarëve nuk çuditen më me deputetë që rrahin arbitra, ndërtojnë pallate, fshehin pasuritë që i kanë vënë, pasi ka "disa vjet që nuk e hanë mëngjesin". Nuk çuditen me vdekjet e shpeshta, me sasitë e drogës dhe me shkatërrimin rrëqethës të administratës publike, qëndrueshmëria e së cilës është themeli i funksionimit të shtetit. Ekranet sa nuk çahen nga sherrnaja kushtetuese që konsiderohet jo krejt pa të drejtë si reformë, sepse e tillë është: kryereformë.

Që pas dhjetë vjetësh, maturimi i një Kushtetute të amendohet është thuajse një domosdoshmëri.

Por punët duheshin marrë shtruar. Fakti që kjo Kushtetutë ka funksionuar thuajse normalisht gjatë kësaj periudhe, duke prodhuar minimalisht stabilitet në qeverisje, duhet të na shtyjë të pohojmë se kjo është një Kushtetutë përgjithësisht e mirë. Që ka prodhuar jo një herë shtrëngesa dhe pragje krizash, madje edhe deformime të shëmtuara në menaxhimin e interesave publike dhe në përfaqësimin e tyre politik, edhe kjo po ashtu është e vërtetë.

Pyetja që normalisht duhet të lindë pas këtij konstatimi është: Kush e bëri një analizë të tillë? E dyta është: Cilat janë ato nene që realisht kanë prodhuar shtrëngime dhe deformimet për të cilat folëm? E treta: Cilët kanë qenë ata grupe interesi që e ngritën këtë shqetësim dhe mbështetur në ç‘fakte? E katërta: Ǒekspertizë iu afrua partive - kupto konstitucionalistët e njohur shqiptarë, Komisionin e Venecias etj. E pesta: Ǒemergjencë ka vendi ynë sot që po i futemi kësaj pune me këtë shpejtësi që shpërfill gjithë sa thamë më sipër dhe që logjikisht përbëjnë radhën e punëve në një situatë normale?

Dakord për atë që e konsiderojmë reformë zgjedhore që lipset të zgjidhet tani, por për sa i përket mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, përse nevojitet ky tym i sotëm kur Presidentin e zgjodhëm jo më shumë se tetë muaj përpara? E pas këtyre pyetjeve të thjeshta, që gjithkush i bën me mendjen e vet ca konkluzione të thjeshta që fillojnë nga supngritja dhe pyetja e radhës; ç‘lidhje ka ky sherr me përmirësimin e jetës së qytetarëve?

Gjithkush që ka pasur rastin të punojë në marrëdhënie me Kushtetutën dhe që realisht ka shqetësimin e mirëfunksionimit të shtetit si administrator i kontraktuar i interesave të gjera publike, ka vënë re se minimalisht duhet ndërhyrë në përmirësimin e saj për sa i përket funksionimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (i cili realisht është inekzistent për nga strukturimi dhe kompetencat që ka), për sa i përket mënyrës se si përzgjidhen dhe emërohen ministrat (në bazë të kësaj Kushtetute secili ministër është i barasvotuar me Kryeministrin?!); neni që parashikon procedurën e zgjedhjes së Presidentit (aktualisht ky është një nen që në gjuhën juridike konsiderohet ‘endless‘, pra pa zgjidhje përfundimtare), por edhe një sërë nenesh të tjerë që lipset të rishikohen gjithmonë në atë që konsiderohet frymë e Kushtetutës).

Mirëpo si sillet klasa jonë politike me këtë Kushtetutë dhe me shqetësimin e të gjithëve për funksionimin e shtetit të së drejtës? Këtu e thuajse një vit të shkuar politika shqiptare, me një aksion tipik ballkanas që mund të emërtohet "ku sytë këmbët", realizoi ndërhyrjen e parë në këtë Kushtetutë, që rezultoi me… futjen e dy anëtarëve më shumë në çdo komision zgjedhor. Tani po "sherrosen" për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit dhe për fuqinë ose jo të kryetarëve të partive më të mëdha të vendit. Dhe qytetari pyet: Ǒlidhje ka i gjithë ky "sherr" me jetën tonë? Mos thjesht dhe vetëm për të hequr vëmendjen nga hallet në rritje? Sepse tashmë është evidente për shumëkënd se salla e Kuvendit nga tribuna e mbrojtjes së interesave të votuesve është shndërruar në sallë të deklarimit të paturpshëm dhe të mbrojtjes edhe më të paturpshme të interesave të të votuarve. Dhe politika u largohet gjithnjë e më shumë interesave të tyre, duke u shndërruar e gjitha në një veshtull…

… Fjala veshtull, përveçse në biologji, haset rëndom edhe në librat e shenjtë, duke filluar nga Bibla dhe konsiderohet edhe ajo vetë si e shenjtë, pasi ndryshe quhet edhe zbukurimi i vetëm i natyrshëm për Krishtlindjet në ato vende ku Krishtlindjet festohen dhe bredhi nuk rritet. Në të vërtetë, veshtulla është një bimë parazitare, e cila, falë një lënde ngjitëse që e prodhon si një zamkë, u ngjitet bimëve të tjera dhe lulëzon duke thithur lëngun e tyre jetësor. Kjo bën që edhe në dimër, kur pemët mbi të cilat ajo ka ngritur jetën e saj thahen dhe të tukequra presin ardhjen e pranverës, ato vetëm lulëzojnë duke u shndërruar kësisoj edhe në një bimë të lakmueshme për festën e lindjes së Krishtit. Klasa jonë politike, e përfshirë e gjitha në menaxhimin e interesave ngushtësisht personale, gjithnjë e më shumë i ngjason kësaj bime parazitare.

Dhe kjo ndodh në një vend ku bredhi rritet e festat në vend të fishekzjarrëve kanë për zbukurim shpërthimet e Gërdecit të radhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›