E Diel, 1 Nëntor 2026

Romela Begaj: Shpresoj të shkoj në Olimpiadë dhe të fitoj medalje

Gëzimi për shpalljen Kampione e Evropës në stilin e shkëputjes në 58 kg dukej fare qartë në fytyrën e Romela Begajt. Sapo ka zbritur në Aeroportin e Rinasit, peshëngritësja kuqezi ka folur për rezultatin e saj më të mirë në aktivitetet ndërkombëtare: 3 medalje (ar në shkëputje, bronz në shtytje dhe argjend në dygarësh). "Sinqerisht nuk di çfarë t‘ju them. Në fakt, bëni mirë të më pyesni pas 2-3 ditësh, kur të jem e çliruar plotësisht nga emocionet që më mbajnë ende të mbërthyer", tha ajo në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur është kthyer nga Evropiani i Linjanos në Itali. "Megjithatë, mund të them se kjo ishte shumë e veçantë për mua, pasi fitova për herë të parë tri medalje në gara ndërkombëtare. Ishte shumë bukur, edhe për arsye se ishte medalja e parë e artë që fitoj". Tashmë synimi është Olimpiada 2008. Kombëtarja e femrave nuk ka arritur të klasifikohet ndërmjet pesë vendeve të para (që kualifikonin sportistë në evenimentin që do të zhvillohet në Kinë), por Begaj mund të marrë pjesë me ftesë. "Normalisht që unë dhe trajneri im, Hektor Shaqiri, të cilin e falënderoj shumë, shpresoj të shkojmë në Olimpiadë dhe pse jo edhe për medalje. Shpresoj që kjo ta ngrejë më shumë emrin për shqiptarët kudo që ndodhen dhe për të gjithë mundimin që bëjnë". Në fund, edhe një kërkesë për qeverinë, që t‘u kushtojë më shumë vëmendje sportistëve: "U shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që bënë të mundur këto rezultate. Shpresoj që shteti shqiptar të na vlerësojë më shumë tani, nga sa na ka vlerësuar në të kaluarën, duke filluar që nga ministria, Kryeministri dhe Presidenti. Në fakt, do të kisha dashur që ndonjëri prej tyre të ishte këtu sot, për të më pritur, por s‘më mbetet tjetër veçse të falënderoj ata që janë këtu të pranishëm dhe t‘ju falënderoj juve të medias për mbështetjen".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›