Skënderbeu humbet në Velipojë,Laçi i pari edhe pa luajtur
Ada e drejtuar nga trajneri i ri Kreshnik Krepi fitoi 2-0 me Skënderbeun kryesues. Velipojasit i befasuan edhe në fazën e parë korçarët kur u morën barazimin në Korçë. Skënderbeu nuk arrinte të organizohej për të rrezikuar seriozisht portën e mbrojtur nga Dervishaj. Në të 44’ vendësit do të zhbllokojnë rezultatin me anë Gjinit. Pjesa e dytë do të kishte të njëjtën kryefjalë, Adën. Korçarët fillimisht ndërmorën disa sulme të shpejta, por pa rezultat. Të besuarit e Fortuzit në sulm nuk ishin në gjendjen të barazonin. Tiko ishte thjesht një numër, ndërkohë që Touçuku humbi shumë raste i vetëm përballë portës. Duke qenë në avantazh të një goli, velipojakët ishin më të qartë se në pjesën e parë. Madje i riu Shkëmbi që aktivizohej në mesfushë, në shumë raste rrezikoi portën e Tafajt. Do të vijë minuta e 65-të portieri i korçarëve do të gabonte dhe mesfushori i Adës, Shkëmbi realizoi një goditje të saktë duke dërguar topin në rrjetë dhe 2–0. Pas kësaj humbjeje, Skënderbeu ka lënë vendin e parë, që e mbante prej shumë javësh, duke ia lënë Laçit. Ekipi kurbinas ngjitet në krye, edhe pse nuk luajti, por mori tri pikë në tavolinë në takimin e planifikuar për t’u luajtur kundër Tërbunit. Bilisht Sporti nuk mundi të shmangte humbjen 0-1 ndaj Kastriotit. Skrapari shpërdoroi dje rastin më të mirë për të treguar se është një ekip, që mund t’i mbijetojë konkurrencës në Kategorinë e Parë, pasi u mund 1-0 nga Dajti.
Kategoria e Parë
Java e 22-të
Burreli – Sopoti 1-0
Naftëtari – Turbina 0-3
Besëlidhja – Pogradeci 2-1
Luftëtari – Gramozi 0-0
Ada – Skënderbeu 2-0
Skrapari – Dajti 0-1
Bilisht S – Kastrioti 0-1
Laçi pushim