“Living together” në Galerinë Kombëtare
Pasditen e djeshme është çelur një ekspozitë tjetër fotografike në mjediset e GKA-së në kryeqytet. British Council, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, organizon ekspozitën fotografike me temë “Living Together”. Kjo ekspozitë është evenimenti përmbyllës i një projekti dyvjeçar të British Council në Europën Juglindore, që synoi të eksploronte multidimensionin e dialogut ndëkulturor në Europën moderne, duke punuar në disa sfera njëherësh; studim fenomeni dhe dialog institucional, arsimin dhe zhvillim kurrikule dhe së fundi duke eksploruar nëpërmjet artit të fotografisë. Çështje të kohezionit social, multikulturalizmit, migrimit dhe bashkëjetesës. Të gjitha këto iniciativa u harmonizuan në kuadër të Vitit Europian të Dialogut Ndërkulturor, të shpallur nga Këshilli i Europës. Elementi artistik në debatin social nuk është një risi tashmë por ndërthurja e disa kontributeve, përfshirë edhe amatore në finalizimin e kësaj ekspozite mund të konsiderohet si një ndër veçantitë e këtij aktiviteti. Punimet e ekspozuara janë më të mirat, jo vetëm të artistëve profesionistë që punuan në këtë projekt si Alban Hajdinaj, Shpëtim Kërçova e Idlir Koka, por pasurohen nga këndvështrimi origjinal i të rinjve të angazhuar me projektin përmes formave të ndryshme si konkurset e fotografisë dixhitale, konkurset e fotografisë në shkolla etj. Nga 60 punimet e paraqituara në këtë ekspozitë, rreth 20 prej tyre vijnë nga të rinj të moshave 15-35 vjeç nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga jashtë vendit. Këndvështrimi i tyre është i rëndësishëm pasi konsiderohet si premisë ndryshimi në të ardhmen.
18 Mars 2009