Mbrëmje koncertore me Alfons Balliçin
“O ëmbëlsi, o botë, o muzikë! Atje, trajtat, djersët, flokët dhe sytë pluskojnë”. Vitet ’60, ai që nuk i mban mend nuk duhet t’i ketë jetuar. Pati një gjallërim të jetës krahasuar me varfërinë dhe izolimin që afronte. Këndohej dhe vallëzohej në Tiranë. Kishte lokale, sidomos verore, me orkestrina të mira, që vetëm për t’i dëgjuar shkëputeshin nga “Broduej” i famshëm “Rr. E Dibrës” dhe kënaqeshim të mrekulluar nga magjia e tingujve. Mbi të gjitha pëlqehej orkestrina e “Vollgës” ku spikatnin dy vëllezërit Shkoza dhe sidomos kitaristi i njohur Mehdi Prodani dhe saksofonisti i famshëm Sazani. Herë pas here në këtë ansambël orkestral luante edhe një kitarist i ri virtuoz, të cilin e admironin të gjithë dhe në më të shumtën e rasteve enkas për të e lindim “Broduejin”. Qe vërtet virtuoz dhe premtonte shumë të ardhmen, çka u vërtetua në vitet e mëvonshme. Besoj se ata që i kanë jetuar ato kohë me siguri, që do të jenë kujtuar, bëhet fjalë për të mirënjohurin Alfons Balliçi kompozitor, instrumentist dhe dirigjent (Artist i merituar), që tashmë i ka kaluar kufijtë e qytetit të tij të lindjes, Elbasan. Si kompozitor, me krijimet e tij, ka marrë pjesë në festivalet e këngës në Radio Televizion, “Kur vjen pranvera”, anketat muzikore, koncertet e majit, festivalet e muzikës popullore, festivalet e fëmijëve.
Krijimtaria e tij është e larmishme duke filluar nga këngët popullore të përpunuara, këngë të muzikës së lehtë dhe pjesë instrumentale, deri tek opereta. Dirigjent i trupës profesioniste të Estradës Elbasan, i dhjetëra festivaleve të muzikës së lehtë dhe popullore po në Elbasan. Një nga muzikantët e kompletuar të këtij qyteti me kaq tradita në kulturë e art. Alfons Balliçi u mor seriozisht me muziktarin e ndritur të traditës së Elbasanit, usta Isuf Myzyrin. E studioi së pari përmes diplomës së muzikologjisë drejtuar nga prof. Bahri Konjali në Konservatorin e Tiranës dhe përpunoi me kujdes të posaçëm këngët kryesore të ustait, duke i kthyer në modele koncertore. Kështu bëri dhe me të tjerë, duke e ngritur nivelin e këngës qytetare elbasanase në modelet më të mira kombëtare të kësaj gjinie.
MBRËMJET TIPOLOGJIKE TË ANSAMBLIT
Gjerdani i mbrëmjeve koncertore tipologjike ka qenë formula më e suksesshme e veprimtarisë në skenë të Ansamblit Popullor kohët e fundit. Mbrëmje të plotë, ngopëse për artdashësit e përpunimit të traditës muzikore e vallëzuese shqiptare. Në ballë “Prurja kosovare” në vitin e nderuar të pavarësisë, “Malli për Çamërinë” me më të mirën e krijuar dhe atë që ende nuk ishte thënë, “Dëbora zbardhi maleve korçare”, me gjuhën muzikore plot shije e tërheqshmëri dhe së fundi në këtë fillim pranveror shpalos “Një lulishte me trëndafila” nga djepi i përtëritjes, Elbasani, art e arsimdashës. Publiku vjen tashmë jo për një katalog çfarëdo, por i etur të zgjedhë atë vëllim krahinor për të cilin e djeg malli qoftë për përkatësinë krahinore, vitet e ngjarjet e përjetuara, por edhe thjesht për kënaqësi. Në të gjitha rastet gjen dhe bartës ndër më të talentuarit të ruajtjes së traditës autoktone dhe emra të përveçëm që shtojnë koloritin lokal në përbërje të stafit artistik ansamblor. E tillë është mbrëmja me protagonist Alfons Balliçi dhe të tjera që do të pasojnë. Njerëzit kanë nevojë të takohen me ato që i kanë ngjallur kënaqësi në çdo kohë.
Zamir Këlliçi, muzikolog
18 Mars 2009