E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaz kozmopolit metropolitan nga “Ëndrrat e thyera”



Këto ditë (21 mars ’09) trioja zvicerane “Broken Dreams” (Ëndrrat e thyera), vjen në sallën e koncerteve të Akademisë së Arteve në Tiranë me një koncert të quajtur “Pasionet e botës”. Bëhet fjalë për një ansambël unik dhe origjinal të zbulimeve poetike – një lloj “serenate e pasioneve”. Tre pjesëtarët e “Broken Dreams”, këngëtarja Alekandra Prusa, kompozitori dhe pianisti irlandezo-zviceran John Wolf Brennan dhe basisti
Peter Gossweiler ndjekin një dialog artistik, objektivi i të cilit është gjetja e formave të reja të interpretimit rreth temës qendrore të pasioneve. Programi i këtij koncerti të veçantë, të titulluar “Pasionet e botës”, ka në përmbajtjen e vet këngë të ndryshme, mes të cilave, franceze, italiane e deri te tangoja argjentinase. Sipas specialistëve të fushës, kjo përzierje e llojeve muzikore prodhon një formë të çuditshme të interpretimit të këngëve xhaz kozmopolite, e në të njëjtën kohë, e gjitha kjo formon një kaleidoskop të pasioneve njerëzore që rrjedhin midis burrave dhe grave. Me zërin e saj karakteristik Aleksandra Prusa u bashkëngjit përpunimeve dhe kompozicioneve një improvizim që nuk lë asnjë person indiferent.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›