E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli: “Rezultat pozitiv me Hungarinë e Danimarkën”



Për herë të fundit, Migen Memelli ka qenë i grumbulluar në Kombëtare, më shumë se dy vjet më parë, kur ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, kroati Oto Bariç, e thirri sulmuesin pogradecar, atëherë në radhët e norvegjezëve të Bran Bergenit për ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë, më 7 shkurt 2007.
Tashmë, sulmuesi i huazuar te 23-herë kampionët e Shqipërisë nga skuadra suedeze e Gaisit është rikthyer në Kombëtaren A për ndeshjet e rëndësishme kundër Hungarisë e Danimarkës, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010.
“Natyrisht që e vlerësoj ftesën e trajnerit Han dhe më jep shumë kënaqësi mundësia për të veshur fanellën e ekipit kombëtar. Edhe për mua, si për të gjithë lojtarët që e kanë veshur atë më parë, është një nder i madh”, - tha golashënuesi më i mirë i Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit (14 gola në kampionat, 8 gola në Kupën e Shqipërisë).
“Ndeshjet kundër Hungarisë në Tiranë, por sidomos ajo kundër Danimarkës në transfertë, janë shumë të vështira. Unë besoj se ekipi ynë ka emra dhe kualitete për t’i përballuar me sukses këto sfida, ashtu siç bëmë më parë me Suedinë në ‘Qemal Stafa’ e Portugalinë (në Braga). Ekipi ka lojtarë të mëdhenj si Lala, Skela, Cana, Duro, por dhe të rinj të talentuar që luajnë në Europë e Shqipëri”, - shton Memelli, - i cili ka shënuar dy gola në miqësoren e Shqipërisë (B) në Turqi kundër ekipit nga Kazakistani, Kazasikin (2-2) , që përkon me ndeshjen e parë të drejtuar nga Ari Han.
“Goli? Do të më pëlqente të luaja të paktën edhe disa minuta, pastaj nëse do të shënoja apo jo, kjo është diçka tjetër. E rëndësishme është të marrim rezultat pozitiv si nga ndeshja me Hungarinë, ashtu dhe me Danimarkën”, - përfundoi sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, njëri nga tre lojtarët e thirrur në përfaqësuese së bashku edhe me mbrojtësin Andi Lila e mesfushorin Ansi Agolli.

18 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›