E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi im, më i persekutuari nga komunizmi



Nga prof. dr. Sali Berisha*

Unë pata fatin të jem i pari ndër ish-drejtuesit opozitarë të ish-Evropës komuniste që javën e parë të themelimit të PD-së të kërkoj anëtarësimin e vendit tim në NATO. Shqipëria ishte e distancuar edhe nga blloku i Varshavës, kështu që me këtë thirrje unë isha i bindur më shumë se shprehja respektin se projekti i anëtarësimit ishte një projekt i qartë, por kam shumë nder dhe kënaqësi t`ju flas sot këtu, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Unë dua të falënderoj vendin tuaj për ndihmën e jashtëzakonshme që i ka dhënë vendit tim me të gjitha reformat e mëdha dhe përpjekjet në procesin e integrimit. Gjermania, taksapaguesit gjermanë u kanë dhënë shqiptarëve dhe Shqipërisë gjatë këtyre viteve mbi 860 milionë euro të shtrirë në qindra projekte shumë efiçente në të katër anëtar e vendit, projekte që kanë ndryshuar për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë.

Regjimi komunist në Shqipëri ishte regjimi më mizor, ekzekutoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 11 mijë qytetarë shqiptarë, ekzekutoi në tërësi të gjithë inteligjencien perëndimore të Shqipërisë, udhëheqjen e besimeve fetare, mijëra e mijëra të tjerë intelektualë, burra dhe gra. Mbi 40 mijë shqiptarë përjetuan në kampet e përqendrimit gulakët më të rëndë ose u dëbuan nga vendbanimet e tyre, por nuk ishin burgjet, kampet apo ekzekutimet me gjyq dhe pa gjyq që përbënin numrin më të madh të viktimave në vendin tim.

Ato ishin dy herë më të shumta se të të gjitha vendeve të tjera ish-komuniste, përveç Bashkimit Sovjetik dhe Hungarisë në kohën e revolucionit. Në Shqipëri numrin më të madh të viktimave e shkaktoi uria, në të cilën regjimi e zhyti vendin për më shumë se 40 vjet me radhë. 25 vitet e fundit vendi jetonte me triska për racionet ushqimore, por triskat ishin një privilegj, sepse me to merrje një minimum bazë ushqimesh, por 40% e popullatës nuk merrte asgjë tjetër përveç bukës së misrit, një kg vaj, një kg sheqer dhe kripë.

Si mjek, kam parë me dhjetëra e qindra raste pelagre, sëmundje e tmerrshme që provokohet kur buka e misrit nuk shoqërohet me ushqime të tjera. Të panumërt ishin ata që nuk blinin dot ilaçet, qoftë edhe me çmimet e ulëta që ekzistonin në atë kohë. Në një kohë kur çekët përjetonin revolucionin e Pragës, shqiptarët përjetonin revolucionin kulturor kinez. Me qindra djem dhe vajza të reja u vranë në kufijtë e Shqipërisë, sepse mendonin se kjo nuk përbënte ndonjë krim dhe ata që qëllonin mbi ta, shpërbleheshin. Në Shkodër dhe në Sarandë trupat e të rinjve të vrarë lidheshin me tela me gjemba dhe silleshin në qytet.

U ndala në këtë përshkrim, meqenëse ju z. Sekretar i Përgjithshëm me të drejtë përmendët ligjin me të cilin qeveria e ka ndërmend të ndahet nga kjo e shkuar, ligjin e lustracionit dhe që e vërteta është se ka ngjallur kundërshti dhe kritika për të cilat unë jam i vetëdijshëm. Por unë jam i bindur se shoqëria shqiptare duhet të gjejë një mënyrë të qytetëruar pajtimi, sepse kryegjykatësi që dënoi me varje poetin, sërish, deri para tri vitesh ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese, kurse njeriu që urdhëroi zvarritjen në mes të qytetit, të lidhur me tela me gjemba të trupave të rinj, gjer para një muaji vazhdonte kryehetues i vendit. Unë kam bindjen më të thellë se pavarësia e sistemit gjyqësor është jetike dhe vendimtare për sistemin demokratik, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, por shoqëria shqiptare duhet të ndahet nga krimet kundër njerëzimit.

Në dallim nga të gjitha vendet ish-komuniste, regjimi adaptoi tolerancë zero ndaj disidencës, me qindra dhe mijëra intelektualë burgoseshin, internoheshin dhe nuk mund të krijonin një disidencë të tyre. Një gjeneratë e tërë, ndër të cilët dhe unë, lindëm dhe u rritëm duke mos ditur se ç’është liria, me mundim të madh pas fuqizimit të thellë unë ia dola të marr një vendim në gjysmën e dytë të viteve ’80, një vendim i thjeshtë, të mos vazhdoja konformizmin tim, të dilja nga konformizmi dhe të bëja atë që s’kisha bërë. Pas këtij vendimi jam ndier më i lirë dhe më i qetë se kurrë dhe t’ju rrëfej publikisht, kur shihja se më ndiqnin, qeshja me ta, sepse kisha marrë këtë vendim. Por, ky lloj vendimi nuk kishte të bënte me asnjë lloj ambicieje time politike.

Në hierarkinë e vlerave, liritë dhe të drejtat njerëzore janë më eproret, ndaj dhe fillova të shkruaj aq sa mund të shkruaja fillimisht për probleme shëndetësore, më pas dhashë intervista televizive që u censuruan tërësisht, por lëvizja intelektuale filloi edhe në Shqipëri, ndonëse nuk kishte një stad, nuk kishte institucione kulti, nuk kishte organizata sociale. Intelektualët filluan të shkruanin dhe të kërkonin të paktën reformat e Gorbaçovit. Ndeshjet e sportit u shndërruan në arena politike. Në Shkodër, Tiranë dhe Kavajë nisën protestat e para.

Kryeministër. Fjala në konferencën me temë “Vitet 1989/1990: era e ndryshimit në Shqipëri”, organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer”.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›