E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lju inkurajon Topin për tryezën politike

Autori i Lajmit: Redaksia

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim në Zagreb me nënsekretarin amerikan të Shtetit, Xhejkob Lju, ku u bisedua rreth zhvillimeve aktuale në Shqipëri.
Zyra për shtyp e Presidentit bëri të ditur se temë e bisedës ishte dhe zhvillimi i tryezës politike të bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri dhe u vlerësua se mbledhja e saj është një hap konkret dhe pozitiv që dëshmon rifillimin e dialogut politik, por edhe vullnetin e palëve për gjetjen e një zgjidhjeje konstruktive. Presidenti i Republikës u shpreh se është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës. Në këtë pikë, Nënsekretari amerikan i shtetit çmoi përpjekjet e Presidentit të Republikës duke i konsideruar si shumë të rëndësishme për rifillimin e dialogut politik dhe rivendosjen e legjitimitetit e funksionimin e institucioneve demokratike. Në vijim të bisedës, presidenti Topi e njohu zotin Lju me arritjet e vendit në politikën e jashtme, angazhimin serioz e me përgjegjësi në NATO, si dhe vazhdimësinë e procesit eurointegrues të vendit në kuadër të bashkëpunimit me BE-në. Nëpërmjet nënsekretarit amerikan të Shtetit, Lju, presidenti Bamir Topi mori përshëndetje të ngrohta dhe miqësore nga presidenti Barak Obama dhe sekretarja e Shtetit amerikan, Hilari Klinton. Lju bëri të ditur se Obama dhe Klinton vlerësojnë partneritetin dhe kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›