Mediu zyrtarisht i pandehur, akuzohet për “Shpërdorim detyre”
Vetëm pak ditë pasi kryeministri, Sali Berisha, deklaroi se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk ka përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme i ka komunikuar atij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Kështu, zyrtarisht, që nga dita e djeshme Mediu është i pandehur për ngjarjen e 15 marsit, ku gjetën vdekjen 26 persona, si dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Sakaq, po gjatë ditës së djeshme, prokuroria iu ka komunikuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” edhe nëntë ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes
Komunikimi i akuzës
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që nga dita e djeshme është zyrtarisht i pandehur për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Atij i është komunikuar nga prokuroria akuza e “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer kjo në bashkëpunim. Mediu, së bashku me avokatin e tij, Ardian Visha, ka qëndruar për më shumë se një orë në organin e akuzës, ku dhe është njohur me shkeljet që prokurorët e çështjes i atribuojnë atij. Ndërkohë, vetë ish-ministri i Mbrojtjes nuk ka pranuar të prononcohet për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ndërsa mbrojtësi i Mediut, Ardian Visha, deklaroi se, “produkti procedural i hetimit 1-vjeçar është nul, nuk ka asgjë të re nga kërkesa paraprake për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut në parlament me atë që sot është atribuuar si akuzë për shpërdorim detyre”. Përveç Mediut, prokuroria iu ka komunikuar akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” edhe ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Kështu, prokuroria i ka komunikuar akuzën ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral. lejtnant. Luan Hoxhës, ish-komandantit të Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, ish-komandantit të Forcave Mbështetëse, Zija Bahja, ish-komandantit të Logjistikës, Dashnor Çaushi, të gjithë këta të shkarkuar nga detyra menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” iu komunikua edhe ish- Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai, si dhe Armand Tartarit, ish-drejtor në Drejtorinë e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ndue Marku, ish-zyrtar në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ish-zëvendëskomandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala. Të akuzuarit kryesorë për këtë çështje janë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli. Ata u arrestuan vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë të 15 marsit, kur pas shpërthimit në Gërdec gjetën vdekjen 26 persona, si dhe mbetën të plagosur mbi 300 të tjerë.
Veprimet që implikojnë Mediun në tragjedinë e Gërdecit
Lejimi i nënshkrimit të kontratave me 2 firma të palicencuara për procesin e demontimit me shkelje të akteve ligjore.
Përzgjedhja e gabuar e vendit të demontimit, duke rrezikuar jetën e personave që punonin dhe banonin në Gërdec dhe duke shkelur rregulloren e Ministrisë së Mbrojtjes së vitit 2003.
Lejimi i shkeljeve të rregullave që shoqërojnë procesin e demontimit, duke rrezikuar jetën e personave që punonin aty.
Shpërfillja e procedurave ligjore të nënshkruara prej tij për demontimin e municioneve.
Shmangia e Forcave të Armatosura nga mbikëqyrja e mëtejshme e procesit të demontimit.
Është lejuar demontimi i kalibrit të madh.
Është lejuar SAC dhe “AlbaDemil” për dhënien e lejeve të demontimit dhe eksportimit të municioneve.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, i iniciuar nga Mediu për marrëveshjen e çmontimit të municioneve, duke paracaktuar fituesin e këtij çmontimi.
Miratimi i urdhrit për transportimin e municioneve nga Forcat Armatosura.
Kalimi i kompetencave të mbikëqyrjes së Gërdecit nga Shtabi i Përgjithshëm ndërmarrjes MEICO