E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llogaritja e pensioneve për mësuesit dhe pedagogët

Pagat që përfshihen në llogaritjen e masës së pensionit. Ripunësimi gjatë pensionit, shtesat përkatëse dhe roli i lejeve të zakonshme

Jonida Tashi

Llogaritja e pensioneve sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore bëhet me 75 për qind të pagës neto mesatare mujore të tre viteve rresht në 10 vitet e fundit të punës. Këtë periudhë 3-vjeçare, paga e së cilës merret si bazë në llogaritjen e pensioneve, e zgjedhin vetë të interesuarit, gjatë së cilës kanë pasur pagën më të mirë. Për pension merret parasysh rroga bazë, mbështetur në tabelën e pagave, të miratuar nga Këshilli i Ministrave,
shtesat e marra për vjetërsi në punë, vështirësi, largësi, funksion, gradë shkencore etj. Por, në llogaritjen e pensionit nuk merret parasysh paga e 13-të që kanë marrë mësuesit, pasi për pagën e mësipërme nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Paga e secilit vit, përpara llogaritjes së pensionit nga punonjësit e Sigurimeve Shoqërore, rritet me koeficientet përkatëse të caktuara nga Këshilli i Ministrave. Nuk merren parasysh në llogaritjen e pagave për pension të ardhurat financiare që mund të ketë marrë personi, si shpërblimet e ndryshme, përfitimet nga lotaritë, honoraret, dietat në lekë ose në valutë për kohën e shërbimeve brenda e jashtë vendit, sepse për to nuk janë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Periudhat e paguara me leje të zakonshme, raporte mjekësore për paaftësi të përkohshme dhe leje lindje, pavarësisht se janë paguar më pak se rroga, mbështetur në Kodin e Punës, quhen vjetërsi në punë dhe nuk ndikojnë në masën e pensionit.
Shtesat
Nga data 1 korrik e vitit 2008 e në vazhdim, pensionet e plota të shtetit, pa përfshirë kompensimet, nuk mund të jenë më të larta se 19 030 lekë në muaj. Mësuesit, pedagogët, trajnerët dhe sportistët, të cilët përfitojnë pension të posaçëm, kanë të drejtë të marrin njëkohësisht pensionin e zakonshëm dhe të posaçëm, si dhe shtesat përkatëse që i bëhen të dyja llojeve të pensioneve me vendime të Këshillit të Ministrave që e ka në kompetencë. Kështu për shembull, rritja e pensioneve më 1 korrik të këtij viti ishte 10 për qind rritje për secilin pension. Mësuesit dhe pedagogët që dalin në pension mbi moshën 57 vjeç e 6 muaj për femrat dhe 62 vjeç e 6 muaj për meshkujt dhe kanë punuar më shumë se 35 vjet të siguruar gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar në vendin tonë, në bazë të nenit 33 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore përfitojnë 4 për qind shtesë pensioni për çdo vit, ose 0.34 për qind shtesë mbi pension për çdo muaj pune. Koha e punuar jashtë vendit si në Përfaqësitë Diplomatike, Tregtare apo organizma ndërkombëtarë, përfshihet në kohën e punës gjithsej, ndërsa periudhat e punës si emigrant, pavarësisht se në cilin vend, nuk njësohen me vitet e punës në Shqipëri për efekte pensioni, por janë të vlefshme për të përfituar pensione sipas legjislacionit të shtetit përkatës. Personat që kanë punuar në dikastere apo në institucione qendrore shtetërore, nga inspektor, shef sektori, drejtor deri ministër, apo kanë qenë të zgjedhur deputetë, anëtarë të Gjykatës së Lartë, Kushtetuese, kryetar bashkie etj., duke filluar nga data 1 prill 1991 e në vazhdim, përfitojnë edhe pension suplementar, shuma e të cilit varet nga detyra që kanë kryer dhe nga koha që kanë punuar në ato funksione. Mbështetur në nenin 63 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensionet, pagesat e raporteve mjekësore, kompensimet, shpërblimet me rastin e Vitit të Ri, ndihmat financiare etj., nuk tatohen, pavarësisht nga dhe shuma e tyre. Pensionet paguhen në lekë një herë në muaj.
Ripunësimi
Mësuesit, pedagogët dhe trajnerët, mbasi dalin në pension, mund të aktivizohen duke dhënë mësim me orë të reduktuara sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, për trajnimin e ekipeve sportive dhe të përfitojnë, përveç pensionit, dhe honoraret, të cilat tatohen 10 për qind, pavarësisht nga shuma. Në rastet kur ata dhe ato, mbasi dalin në pension zhvillojnë aktivitete private, vazhdojnë të marrin pensionin dhe kompensimet, por për kohën që zhvillojnë aktivitet privat paguajnë edhe kontributet e sigurimeve shoqërore në përqindjet e caktuara, njëlloj si personat që nuk kanë dalë në pension. Kur mësuesit dhe pedagogët në pension rifillojnë punë përsëri në sektorin shtetëror, pensioni ndërpritet, por kur ta lënë përsëri punën, u rifillon pensioni me gjithë shtesat që mund të jenë bërë. Për çdo muaj të punuar mbi moshën e pensionit përfitojnë 0.34 për qind shtesë pensioni, pavarësisht nga numri i muajve të punuar ose 4 për qind për çdo vit pune, sepse për kohën e ripunësuar janë të detyruar të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Sipas ligjit, personeli akademik me titullin “Profesor” shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç për femra dhe meshkuj, me përjashtim të rastit kur me kërkesën e tij ose të saj lirohet nga detyra për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Me plotësimin e kushteve për pension, qendrës së punës dhe të interesuarve u lind e drejta për pension, por në rastet kur shkolla apo fakulteti kanë nevoja të ngutshme, është në kompetencën e tyre që duke marrin dhe mendimin e atij apo asaj që ka plotësuar kushtet për pension, ta mbajë në punë për aq kohë sa bien dakord, duke nënshkruar një kontratë provizore konform nenit 140 të Kodit të Punës. Sipas Kodit të Punës, punëdhënësi nuk mund të zgjidhë kontratën e punës kur punëmarrësi është me leje të zakonshme, me leje lindje, me shërbim brenda e jashtë vendit, apo me raporte mjekësore.
Personat që plotësojnë kushtet për pension, marrëdhëniet financiare të punës i ndërpresin mbasi marrin edhe lejen e zakonshme, mbështetur në nenin 92 të Kodit të Punës dhe
vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, e cila jepet në përpjesëtim me kohën e punës. Për shembull, një mësues plotëson kushtet për pension më 30 prill të vitit 2009, meqenëse ai ka punuar një të tretën e vitit kalendarik
i takon dhe një e treta e lejes se zakonshme.
Leja e zakonshme
Leja e zakonshme mësuesve dhe pedagogëve u jepet dhe paguhet si vit kalendarik për kohën që kanë punuar nga 1 janari deri më 31 dhjetor të çdo viti dhe jo si vit shkollor. Konform Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.369, datë 13.06.2007, “Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore”, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 83, faqe 427 dhe udhëzimit përkatës të ministrit të Financave, punonjësve që kanë punuar në institucionet buxhetore kur dalin në pension u jepet shtesë një pagë mujore. Ata dhe ato që dalin në pension duhet të dorëzojnë me procesverbal
të gjitha vlerat materiale që kanë në ngarkim, si kompjuterë, pajisje laboratori, zyre, si dhe të shlyejnë të gjitha detyrimet financiare nëse kanë, si: dieta, paradhënie etj. Pa kryer këto veprime drejtuesi dhe dega e financës e qendrës së punës nuk i jep asnjë dokument që nevojitet për efekte të daljes në pension. Mbështetur në nenin 62 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, e drejta për pension nuk parashkruhet. Kur dokumentet paraqiten në agjencitë e Sigurimeve Shoqërore brenda 365 ditëve kalendarike, nga dita e lindjes të së drejtës për pension dhe ndërprerjes së marrëdhënieve financiare me qendrën e punës, pensioni merret për gjithë periudhën e kaluar. Në rastet kur dokumentet paraqiten në organet e Sigurimeve Shoqërore mbas 365 ditëve kalendarike, pavarësisht nga arsyet, pensioni fillon e paguhet nga dita e dorëzimit dhe regjistrimit të dokumenteve në agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, duke humbur të drejtën e marrjes së pensionit për periudhat e shkuara. Pensionistët gjithashtu përfitojnë barnat mjekësore të rimbursueshme sipas listës së
miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe nuk paguajnë as 100 lekë të vleftës së recetës mjekësore, duke paraqitur në farmaci, përveç recetës mjekësore, dhe librezën e pensionit.
Pensionet e posaçme dhe ato suplementare nuk trashëgohen.
Pensionet e marra tepër kthehen duke u mbajtur çdo muaj pensionistit 20 deri në 50 për qind të pensionit mujor. Në rastet kur pensionistët nuk binden me masën e pensionit të caktuar, në bazë të nenit 86 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore ata kanë të drejtë të ankohen me shkrim fillimisht pranë komisioneve të ankimit pranë drejtorisë rajonale të sigurimeve shoqërore, në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundi në gjykatë, vendimi i së cilës është i formës së prerë.

Pensioni i reduktuar, shuma që përfitohet
Femrat që plotësojnë moshën 57 vjeçe dhe meshkujt
62 vjeç dhe kanë 35 vjet punë të siguruara gjithsej, pavarësisht nga profesioni, me dëshirën e tyre kanë të drejtë të marrin pension të reduktuar. Pra, mësuesit e pedagogët, nga data 1 korrik 2008 deri më 30 qershor 2009, pensionin e reduktuar e marrin 6 muaj më përpara se pensioni i plotë. Pensioni i reduktuar llogaritet me 0,6 për qind në muaj më pak se pensioni i plotë. Në rastin konkret, pensioni i reduktuar për 6 muaj që merret
para pensionit të plotë është 3,6 për qind më pak se pensioni i plotë (0,6 për qind x 6 muaj ) ose pensioni i reduktuar del 96,4 për qind e pensionit të plotë dhe mbetet i tillë edhe mbas plotësimit të moshës për pension të plotë.

Pensionet e patërhequra kanë afat deri në tre vjet

Pensionet e njohura, por të patërhequra mund të merren në çdo kohë deri në tre vjet. Për periudhën e patërhequr të pensioneve sigurimet shoqërore nuk paguajnë interesa bankare. Në pamundësi për ta tërhequr vetë pensionin, të interesuarit kanë të drejtë të autorizojnë pjesëtarë të familjes apo të afërm të tyre për tërheqjen e pensionit. Autorizimi duhet të ketë afat jo më shumë se 6 muaj dhe duhet të jetë i noterizuar. Gjithashtu, pensionistët, me kërkesë të tyre pranë agjencive postare që merren me shpërndarjen e pensioneve, kundrejt pagesës prej 100 lekësh në muaj i dërgohet pensioni në shtëpi.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›