Mësuesit dhe pedagogët, kushtet për të përfituar pension deri në 2009-n
Jonida Tashi
Mësuesit dhe pedagogët e të dyja gjinive, për të përfituar pensione të plota gjatë periudhës 1 korrik 2008 deri më 30 qershor 2009, duhet të plotësojnë njëkohësisht tre kushte kryesore. Kushti i parë i përcaktuar nga specialistët e pensioneve është plotësimi i moshës, që për femrat është 57 vjeç e 6 muaj, ndërsa për meshkujt 62 vjeç e 6 muaj. Kushti i dytë është plotësimi i viteve të punës të siguruara për të përfituar pension dhe të dyja gjinitë duhet të kenë gjithsej 35 vite pune të siguruara. Ndërsa kushti i tretë ka të bëjë me plotësimin e viteve të siguruara të punës në arsim, ku të dyja gjinitë duhet të kenë gjithsej 26 vjet e 3 muaj punë në arsim. Në rastet kur nuk plotësohen të tria kushtet e mësipërme, brenda datës 30 qershor 2009, mësuesit e pedagogët do të përfitojnë pension më vonë se fundi i qershorit të vitit që vjen. Për shembull: më 20 dhjetor të këtij viti, një mësuese plotëson moshën 57 vjeç e 6 muaj dhe ka 35 vjet pune gjithsej, por në arsim dhe në profesionet e tjera të kategorisë së dytë, që njësohen me punën e mësueses, ka vetëm 26 vjet, ajo nuk del në pension më 20 nëntor të këtij viti, por më 20 mars vitit 2009, kur i bëhen 26 vjet e 3 muaj punë të siguruara në profesionin e mësueses. Gradualisht, në të ardhmen, në çdo datë l korrik moshat e daljes në pension të mësuesve dhe pedagogëve do të shtohen me 6 muaj, derisa duke filluar nga data 1.7.2013 e në vazhdim mësueset femra do të dalin në pension të plotë 60 vjeçe dhe meshkujt 65 vjeç, kur kanë 35 vjet punë gjithsej të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar.
Koha e punës
Në kohën e punës, gjithsej, për efekte të pensionit të pleqërisë përfshihen, përveç viteve të shënuara në librezën e punës, edhe koha e vazhdimit të studimeve të larta ditën, për femra brenda ose jashtë vendit, me dhe pa bursë, sipas kohëzgjatjes së fakulteteve, por jo më shumë se 6 vjet, duke e vërtetuar këtë me kopjen e diplomës së noterizuar.
Koha e studimeve të larta ditën llogaritet një vit shkollor e barabartë me një vit punë. Gjithashtu, në kohë pune gjithsej për efekte pensioni përfshihet edhe koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak për meshkujt, duke e dokumentuar me vërtetim nga dega ushtarake. Po ashtu, si kohë pune për pension llogariten edhe periudha e invaliditetit të pjesshëm ose të plotë, pavarësisht nga gjinia, periudhat e lejeve të zakonshme, raportet mjekësore të pagueshme për paaftësi të përkohshme në punë, të lejeve të barrë lindjes, periudha e papunësisë ose e asistencës etj. Ndërsa koha e trajtuar me ndihmë ekonomike dhe trajtimi financiar që marrin personat, të cilët u shërbejnë personave me aftësi të kufizuar, nuk quhet vjetërsi pune për pension. Po ashtu, periudha e zboreve ushtarake, që kryheshin gjatë vazhdimit të studimeve apo mbas mbarimit të studimeve, nuk quhet vjetërsi pune për efekte pensioni, sepse përfshihej në strukturën e vitit shkollor. Ditët e zboreve ushtarake të kryera mbas fillimit të punës llogariten vjetërsi pune për efekte pensioni dhe page, pavarësisht nga gjinia. Periudha e kryerjes së sigurimeve vullnetare për shtetasit me nënshtetësi shqiptare, që kanë plotësuar moshën 18 vjeç, pavarësisht nga gjinia e ku banojnë (në vendin tonë apo në emigracion), duke filluar nga data 1.10.1993 përfshihet në vjetërsinë e punës gjithsej, për të përfituar 3 lloje pensionesh: pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Por nuk barazohet me vitet e punës si mësues e pedagog. Po kështu vlerësohet edhe koha e siguruar si të vetësiguruar në bujqësi deri në moshën e pensionit, për femra dhe meshkuj, apo në sektorët privatë. Sigurimet vullnetare janë të vlefshme për të shtuar kohën e punës gjithsej, por jo vitet e punës me vështirësi. Për shembull: nuk mund të bësh sigurim vullnetar për të shtuar vite pune si mësues, pedagog, oficer etj. Kurse për femrat koha e sigurimeve vullnetare nuk është e vlefshme për të marrë lejen e shpërblimin e lindjes me pagesë.
Punët që përfshihen
Në punët në arsim për pension përfshihen periudhat e punuara, si: edukatore në kopshtet e fëmijëve, mësuese dhe mësues në shkollat e ciklit të ulët, 7, 8 e 9-vjeçare, të mesme të përgjithshme e profesionale, drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave dhe të konvikteve, kur kanë dhënë mësim në klasa, pedagogë në universitete apo shkolla të tjera të larta, pavarësisht nëse kanë ose jo grada shkencore, koha e punuar në detyrën e drejtorit, inspektorit dhe ndihmësit për arsimin në Aparatin e Këshillit të Ministrave, drejtorive dhe inspektorëve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, përgjegjësve, drejtorive dhe inspektorëve të seksioneve dhe drejtorive të arsimit në rrethe, trajnerëve profesionistë efektive të të gjitha kategorive të klubeve sportive, drejtorët, instruktorët, shefat e seksioneve në pallatin e pionierëve, shtëpitë e pionierëve, udhëheqësit e pionierëve në shkolla etj. Puna në arsim, përsa i përket vështirësisë, njësohet me profesionin e oficerëve, tornitorëve të punimit të metalit, veterinerëve të lartë, mjekëve kirurgë, artistëve të teatrove dramatike, dirigjentëve të orkestrave, regjisorëve të Kinostudios, Radiotelevizionit etj. Të gjitha këto emërtime janë përcaktuar me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, botuar në legjislacionin përmbledhës për sigurimet shoqërore në shtator të vitit 2003.
Caktimi
Koha e caktimit të pensionit nga organet e Sigurimeve Shoqërore zgjat 60 ditë kalendarike, prandaj rekomandohet që dokumentet të plotësohen sa më shpejt. Ato mund të dorëzohen deri në 5 muaj para daljes në pension dhe prerjes së marrëdhënieve financiare me qendrën e punës sipas rregullores 34/2,datë 5.10.2005 të Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, botuar në Fletoren Zyrtare nr.79 të vitit 2005. Nëse vetë personi nuk ka mundësi të paraqitet pranë sigurimeve shoqërore për plotësimin e dorëzimin e dokumenteve, ai mund të autorizojë një person tjetër. Personit që në të njëjtën kohë i takon më shumë se një lloj pensioni (si pension pleqërie, familjar apo pension invaliditeti), ka të drejtë të zgjedhë njërin prej tyre me shumë më të lartë. Pensionisti, kur ndërron vendin e banimit, ka të drejtë të kërkojë edhe transferimin e pensionit pranë vendbanimit të ri. Me qëllim që të mos ketë keqkuptime për nxjerrjen në pension të punonjësve, drejtuesve të institucioneve arsimore
duhet që të njihen më mirë me dokumentet e punonjësve që kanë plotësuar kushtet për pension. Problemet e paqarta ata duhet t’i sqarojnë me organet e Sigurimeve Shoqërore pastaj t’i njoftojnë të paktën tre muaj përpara punonjësit e tyre që do të nxjerrin në pension, siç përcaktohet në Kodin e Punës, dhe t’i bindin ata për legjislacionin e pensioneve.
Kushtet e daljes në pension nga 1.7.2008 deri më 30.6.2009
Gjinia Mosha Gjithsej vite pune Vite pune të siguruara
të siguruara në arsim
(kushti i parë) (kushti i dytë) (kushti i tretë)
Femra 57 vjeç e 6 muaj 35 vjet 26 vjet e 3/muaj
Meshkujt 62 vjeç e 6 muaj 35 vjet 26 vjet e 3/muaj
Dokumentet
Dokumentet që duhen përgatitur për të dalë në pension janë:
Libreza e punës e plotësuar deri ditën e fundit, që është paguar me rrogë
Libreza ushtarake për meshkujt që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak
Certifikatë personale me fotografi dhe certifikatë e gjendjes familjare
Vërtetim i pagës nga 1 janari i vitit 1994, deri ditën e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Këto janë vërtetime standarde dhe punonjësit e financës janë të specializuar për plotësimin e tyre.
Kopja e noterizuar e diplomës të shkollës së lartë ditën për femrat.
Kërkesa për pension, që është një formular i gatshëm që merret në qendrën e fundit të punës, ku shënohet edhe adresa e banimit, numri i telefonit etj.
16 Tetor 2008