Masakruan taksistin për xhelozi, arrestohen dy vëllezërit
Një 37-vjeçar është torturuar dhe më pas është vrarë nga dy vëllezër për xhelozi. Ngjarja ka ndodhur më datë 17 shkurt në Has, ndërsa pas një operacioni që ka zgjatur 10 orë, dje janë vënë në pranga dy autorët e krimit, Jetmir dhe Granit Hasanpapaj. Viktima Avni Sinani punonte si taksist. Ai është marrë nga dy vëllezërit dhe pasi janë larguar duke shkuar në një vend të izoluar, ata kanë torturuar dhe më pas kanë vrarë 37-vjeçarin. Gjatë marrjes në pyetje, dy vëllezërit kanë pranuar autorësinë e krimit. Ata gjithashtu deklaruan se e kanë hedhur trupin e viktimës në ujërat e lumit Drini i Zi. Trupi i viktimës ende nuk është gjetur dhe punonjësit e policisë vazhdojnë kërkimet, ndërkohë që mëngjesin e djeshëm u gjet taksia e braktisur. Sipas burimeve nga policia, ngjarja e rëndë ka ndodhur në Has më 17 shkurt të këtij viti.
Rrëmbimi dhe vrasja
Viktima punonte si taksist. Dy vëllezërit kanë prenotuar një taksist dhe pas disa minutash udhëtimi me të janë ndalur në fshatin Tpla, ku pasi e kanë torturuar, e kanë qëlluar në kokë duke e lënë të vdekur. Më pas trupi i viktimës është hedhur në lumin Drin i Zi. Të shqetësuar nga mungesa e familjarit të tyre dhe nga moskontaktimi me telefon, të afërmit kanë shkuar në komisariat ku kanë bërë edhe denoncimin për zhdukjen e tij. Menjëherë ka filluar puna për zbardhjen e rrethanave të zhdukjes së tij. Hetuesit kanë arritur në përfundimin se dy vëllezërit kishin gisht në zhdukjen e 37-vjeçarit taksist dhe nisën nga puna për kapjen e tij. Pas kryerjes së krimit, autorët janë fshehur në malet e zonës përreth. Në ndihmë të forcave të policisë të Hasit kanë shkuar edhe ato të Tropojës si dhe forcat speciale të Tiranës. Pas një rrethimi, i cili zgjati rreth 10 orë, forcat speciale në bashkëpunim me policinë, bënë të mundur arrestimin e dy autorëve të krimit, vëllezërve Jetmir dhe Granit Hasanpapaj.
Motivi
Punonjësit kanë marrë në pyetje dy vëllezërit. Sipas burimeve policore, ata kanë pranuar autorësinë e krimit dhe kanë deklaruar edhe shkaqet e vrasjes. Duket se arsyeja e vrasjes ka qenë xhelozia. Njëri prej vëllezërve pretendonte se Sinani i kishte ngacmuar atij bashkëshorten. Duket se zgjidhja për këtë ka qenë vrasja e taksistit. Ata, pasi kanë hipur në makinë me të, kanë ndaluar dhe më pas e kanë torturuar viktimën. Më pas, Sinani është ekzekutuar me një plumb në kokë. Vëllezërit kanë djegur makinën me të cilën lëvizte taksisti, ndërsa trupin e tij e kanë hedhur në ujërat e lumit Drini i Zi. Të dy janë larguar për t’u fshehur në malet e zonës, por policia ka rënë në gjurmët e tyre, nga ku ditën e djeshme janë vënë në pranga. Ata janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës për të marrë masën e arrestit. Vëllezërit Hasanpapaj akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim”.