Prokuroria: Mediu favorizoi SAC- Albademil për çmontimin
GËRDEC
Ish- ministri i Mbrojtjes, akuzohet se ndihmoi firmën e Delijorgjit në proces.............................. si dhe në nxjerrjen e licencave të nevojshme
Hetuesit kanë gjetur shkelje në iniciativat ligjore, urdhrat, vendcaktimin e fabrikës, transportin pro kompanisë private
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, dy ditë pasi i komunikoi akuzat zyrtare ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për tragjedinë e Gërdecit, zbardhi dy veprat penale të cilat janë konsumuar nga deputeti pa imunitet. Sipas grupit hetimor, konfirmohet se ish-ministri Mediu me veprimet dhe mosveprimet e tij me dashje në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, ka kryer akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim.
Këto veprime dhe mos veprime me dashje të ish-ministrit Mediu, janë bazuar në prova dhe fakte, se kanë sjellë përfitime të padrejta në favor të subjekteve private të përfshira në procesin e çmontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në fshatin Gërdec. Si pasojë e shpërthimit të rreth 700 tonëve barut, mbetën të vdekur 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Sipas akuzës, është provuar se deputeti pa imunitet ka favorizuar kompaninë SAC për të krijuar shoqërinë shqiptare "Albademil", e cila më pas ka hyrë në marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes, për realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.
"Në analizimin e fakteve të grumbulluara është provuar se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka ndërmarrë procesin administrativ të nxjerrjes së akteve nënligjore, në përmbushje të kërkesave të kompanisë "SAC-Albademil". Kjo pa marrë në konsideratë zbatimin e ligjit dhe të standardeve të parashikuara nga Bashkimi Evropian për demontim",- pohohet nga organi i akuzës. Gjithashtu sipas saj, është provuar se është favorizuar me dashje kompania "SAC-Albademil", me urdhrat dhe aktet nënligjore të iniciuara dhe miratuara nga vetë ish-ministri Mediu në kohën e drejtimit të dikasterit të Mbrojtjes, duke plotësuar njëkohësisht edhe kërkesat ligjore të kompanisë private.
Ajo është pajisur me tri lloj licencash: si për depozitim municionesh, licencë për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve dhe licencë për eksportimin e produkteve të dalë nga demontimi. "Përveç këtyre, ish-ministri Mediu ka favorizuar kompaninë private edhe në kontratën e firmosur mes saj dhe ndërmarrjes MEICO, duke marrë përsipër të mbulojë shpenzimet e transportit të municioneve për në ambientin industrial të "Albademil"-it,-thuhet nga prokuroria.
Nga përgjegjësia, nuk është përjashtuar në këtë rast edhe vend caktimi i ngritjes së punishtes së demontimit në fshatin Gërdec të Vorës. Ndërkaq, gjatë paradites së djeshme, është zbardhur edhe baza ligjore e argumentuar ndaj të pandehurve të këtij procedimi penale, që ka arritur numrin në rreth 40 persona. Ku sipas prokurorisë, të gjithë ushtarakët dhe ish- ushtarakët, që janë marrë të pandehur në këtë dosje janë hetuar dhe gjykuar në bazë të Kodit Penal Ushtarak, për veprat penale të "shpërdorimit të detyrës" të parashikuara në nenin 70 pika 2 dhe veprën penale të "shpërdorimit, shkatërrimit ose dëmtimit të pasurisë ushtarake" të parashikuar në Nenin 62 të këtij Kodi Penal. Ndërsa, të gjithë ata ish- punonjësit apo punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes që kishin statusin e nëpunësit civil, janë hetuar dhe gjykuar mbi bazën e Kodit Penal, të "shpërdorimit të detyrës" dhe "shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike", në bashkëpunim.
-------------------------------------------------------------------------------------
Ish- drejtori i Logjistikës, Çaushi, pandehet për "shpërdorimin e detyrës"
Prokuroria vazhdon komunikimet e akuzës
TIRANË- Pas paraqitjes së ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë në prokurori për njohjen me akuzat ndaj tyre, grupi hetimor gjatë paradites së djeshme ka vazhduar me njohjen ndaj pjesës tjetër të të akuzuarve. Sipas këtyre burimeve, mësohet se paraditen e djeshme, i pari që ka hyrë në zyrat e Prokurorisë së Përgjithshme, ka qenë nënkoloneli Dashnor Çaushi, tashmë i liruar nga detyra. Në kohën e shpërthimit të punishtes së çmontimit të municioneve në Gërdec ai mbante detyrën e drejtorit të Logjistikes pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Nënkolonel Çaushi shoqërohej nga avokati i tij mbrojtës, Mark Pëllumbi, dhe kanë qëndruar në zyrat e prokurorisë vetëm 20 minuta, ku janë njohur me akuzat. Nuk është dashur më shumë që atij t'i komunikohej akuza e "shpërdorimit të detyrës" në bazë të nenit 70 të Kodit Penal Ushtarak. Gjithashtu, mësohet se gjatë paradites së djeshme kanë qenë edhe disa punonjës dhe ish- punonjës të administratës së Ministrisë së Mbrojtjes të cilat janë njohur me akuzat ndaj tyre. Burimet e grupit hetimor, konfirmuan se gjatë ditëve në vazhdim, do të merren në pyetje dhe do t'iu komunikohet akuza edhe disa personave të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e komisioneve të vlerësimit të çmimeve të fishekëve për demontim. Përveç kësaj, burimet shtuan se do të verifikohen edhe dëshmitë e disa nga të pandehurve që pas komunikimit të akuzës kanë pranuar të japin disa të dhëna të reja. Në mesin e tyre do të verifikohet edhe deklarimi i ish-shefit të shtabit, Luan Hoxha. Këto verifikime do të kryhen para se të merret vendimi i mbylljes së fazës hetimore dhe dorëzimit të dosjes në Gjykatën e Lartë për gjykim, që mendohet se brenda muajt shkurt dosja do të përfundojë në duart e gjyqtarëve.