Tepelenë; Asgjësohen nga policia dy parcela të mbjella me lëndë narkotike
Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, të premten, zhvilloi dy ditë më parë një operacion në rrethin e Tepelenës për asgjësimin e bimëve narkotike. Burime nga policia e Tepelenës bënë të ditur se në vendin e quajtur “Gryka e Pihoit”, në Përroin e Malit të Luzatit Tepelenë, janë evidentuar dy parcela të hapura rishtas për kultivimin e bimëve narkotike. Në parcelën e parë janë evidentuar 122 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si “Kanabis sativa”, të cilat varionin nga 40 centimetra deri në 90 centimetra të larta. Në parcelën e dytë u evidentuan 128 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si “Kanabis sativa”, të cilat varionin nga 50 centimetra deri në 100 centimetra të larta. Gjithsej u evidentuan 250 rrënjë bimë narkotike, ku disa rrënjë u morën për ekspertizë dhe pjesa tjetër për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së rrugës automobilistike u asgjësuan në vend me anë të djegies. Policia po punon për evidentimin dhe kapjen e autorëve të mbjelljes dhe kultivimit të këtyre bimëve narkotike.