Një bursë për kritikët e qeverisë
Që prej shpërthimeve në Gërdec dhe në vijim ndaj qeverisë shqiptare është ngritur një sistem i disa zërave publikë dhe opozitës, artikulimi i të cilëve mbërthehet nga inati, padurimi dhe investimi negativ në publik. Të bie në sy një veçanësi e kundërshtimit të qeverisjes, e cila nuk ka të bëjë shumë me cilësinë e qeverimit të vendit, por me gjëra anësore, çfarë lë për të dëshiruar edhe cilësia e kritikës ndaj qeverisë dhe po ashtu, mundësia e përfitimit prej saj.
Kritikët e qeverisë e fajësojnë atë për Gërdecin dhe natyrisht që ajo është fajtore, por këndi nga ata e shikojnë fajin e qeverisë në këtë tragjedi është i çuditshëm, nuk ka shumë lidhje me vetë historinë dhe atakimi i saj prej tyre përshkohet nga inati me Berishën. Tri ditë më parë u ndodha në një debat televiziv dhe dy prej njerëzve që ishin përfshirë në këtë debat, njëri zyrtar i lartë i opozitës dhe tjetri ish-nëpunës politik i stafeve të larta të qeverive socialiste, i lavdëruan duke më lënë pa mend cilësitë dhe aftësitë e ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinarit. Ata thanë aq shumë të mira për të sa edhe mua më lindi një keqardhje për këtë njeri, i cili është në burg tani. Gjithçka do të ngelej në vend, nëse nga fillimi i debatit të dy ata të mos akuzonin Kryeministrin, pikërisht për firmat që ka hedhur drejtori i MEICO-s. Që këtu sinqeriteti i kritikave apo akuzave ndaj Berishës lëkundet.
Por, ky nuk është i vetmi rast kur qeveria ndodhet nën presion për shkaqe joqeverimi dhe ku historitë e inatçinjve të Tiranës nuk kanë fund. Asaj i thuhet se nuk është luftuar korrupsioni, ndërkohë që shumë prej inateve që kanë lindur kundër qeverisë lidhen pikërisht me faktin se ajo i ka prerë rrugën korruptimit të ndërsjellë për shërbime të ndërsjella. Qeveria do ta marrë këtë kosto, por e mira e kësaj kostoje është se ajo nuk ndikon në vlerën e qeverisë apo qeverisjes, por do të ketë kosto në leximin e publikut. Por, a janë luftuar deri në fund korruptuesit dhe të korruptuarit? Aspak. Është vështirë të luftohen deri në fund, pasi në Tiranë dhe rreth e rrotull saj, korruptuesit dhe të korruptuarit nuk janë njerëz dosido. Ata janë njerëz që kanë krijuar një komoditet publik dhe politik, dhe përreth tyre qarkojnë rrathë të tjerë njerëzish prej të cilëve nuk bëjnë përjashtim edhe ata që kanë mundësi ndikimi sidokudo, jothelbësore. Kjo e bën shumë specifike këtë luftë. Kemi parë që janë arrestuar në shumë pak raste zyrtarë të lartë në Tiranë. Kjo, për shkak të arsyes së mësipërme ku “klubet” e Tiranës, që janë klube zyrtarësh, opozitarësh, juristësh, gazetarësh u japin mundësi komunikimi këtyre kontingjenteve deri në krijimin e koracës mbrojtëse nga pushteti. Edhe ata që luftojnë korrupsionin janë pjellë e këtyre klubeve. Kur ka ndodhur që nuk ishin pjellë e këtyre klubeve, kanë zënë mall të korruptuar.
Më shumë sukses ka pasur nëpër komuna. Dhe sepse atje klubet e Tiranës nuk janë dhe as ata nuk kanë shumë mundësi të interferojnë mes tyre.
Akuzat ndaj qeverisë nuk janë si akuzat që bëhen normalisht ndaj çfarëdo qeverisjeje e cila nuk arrin kurrë të drejtojë sikurse është përfytyrimi për të. Ato janë si të luash në bursë. Shtohen kur rritet “çmimi” i qeverisë dhe administratës e bie kur bie “çmimi” i tyre. Janë akuza që bëhen në tregun e ndikimit publik pa qenë nevoja për ta kthyer vështrimin nga përfitimi i vendit prej cilësisë së qeverisjes. Kjo nuk ka rëndësi. Nëse ata përfitojnë, qeveria punon mirë, nëse nuk përfitojnë, atëherë ka korrupsion.