E Shtunë, 31 Tetor 2026

60-vjetori i urës ajrore të Berlinit - Bombarduesit e parë me bonbone

Ura ajrore në Berlin nga forcat aleate, operacioni më i madh i të gjitha kohërave

Ne e ndryshuam historinë: Halvorsen, i lidhur me urën ajrore të Berlinit. Më 24 qershor 1948, në mëngjes në orën 6:00, kryetari i shtetit sovjetik, Josef Stalin bllokoi autostradat për në Berlinin perëndimor.

Qyteti duhej të vdiste urie. Përgjigja e aleatëve perëndimorë ishte ura ajrore, operacioni më i madh dhe më i rëndësishëm i të gjithë kohërave. Nga 26 qershori 1948, kur nisi zyrtarisht fluturimi i parë i urës ajrore deri më 12 maj 1949 me anë të 270.000 fluturimeve në sektorin perëndimor të Berlinit u sollën më shumë se dy milionë tonë ushqime. Berlinasit i quajtën avionët gjithë dashuri "bombardues me bonbone" . Kolonel Gail Halvorsen ishte njëri nga pilotët, të cilët kryen këto operacione të guximshme. 87-vjecari i sotëm ishte i pari, që pati atëherë një ide të veçantë. Duke u ulur në Tempelhof ai hodhi nga dritarja ëmbëlsira, të lidhura fort në shami. Kështu, ato binin lehtë në tokë, për kënaqësinë e madhe të fëmijëve berlinezë.

“Unë besoj se Berlini është atdheu im i dytë, sepse më1948/49 fluturonim tri herë në ditë nga Gjermania Perëndimore për në Tempelhof në Berlin”. Që kur ishte djalë i vogël, Gail Halvorsen ishte i mrekulluar prej fluturimit. I lindur në vitin 1920 në Salt Lake City, në shtetin federal të Utah-ut, kur ishte 21 vjeç, bëri patentën e pilotit. Në korrik 1942 u regjistrua në aviacion dhe drejtoi avionët e transportit mbi Atlantikun e Jugut. Në vitin 1948 duhej të furnizonte perëndimin e Berlinit të ndarë nga bota.

“Operation Vittles” quhej furnizimi i Gjermanisë nga ajri. “Vittles“ do të thotë në zhargon të hash diçka. Berlinasit dhe gjermanët, thotë Halvorsen, në këtë moment nuk ishin më armiqtë e amerikanëve.

“Çdo muaj në konferencat tona informoheshim se armiku i ri ishte Stalini, i cili fillimisht donte të pushtonte Berlinin Perëndimor dhe pastaj Gjermaninë Perëndimore. Dhe njerëzit në Berlin, që donte t´i linte pa bukë, ishin gra dhe fëmijë.

"Kur solla për herë të parë një ngarkesë me miell mbi Berlin, e pashë se si gjermanët gëzoheshin dhe na shihnin sikur të ishim engjëj nga qielli. Që atëherë ishim bërë miq. Ne ishim në të njëjtin krah”.

Por Halvorsen nuk u mjaftua të çonte mallrat e zakonshme. Kur një ditë në korrik 1948 pa fëmijë, që rrinin pranë aerodromit “Tempelhof”, donte t´u jepte atyre diçka, por nuk kishte asgjë me vete përveç dy copë çimçakizave. Ai i ndau ata në disa pjesë dhe u befasua nga entuziazmi dhe kënaqësia e fëmijëve. Herën tjetër, u premtoi fëmijëve, se do të sillte më shumë, dhe do t´i hidhte nga avioni. Ëmbëlsirat i lidhte në shami, me qëllim që të mos prisheshin kur binin në tokë. Edhe kolegët e tij filluan të bënin si ai dhe derisa përfundoi ura ajrore në këtë mënyrë mijëra fëmijë morën më shumë se 20 tonë çokollata, çimçakiza dhe ëmbëlsira të tjera. Atij i ka bërë shumë përshtypje që fëmijët vetë nuk i janë lutur kurrë për diçka.

Nga kjo mund të mësojnë fëmijët e sotëm, mendon Halvorsen: “Kur merr vendime, parimet janë më të rëndësishme sesa kënaqësitë. Fëmijët e Berlinit thoshin: ‘Mirë, po heq dorë nga kënaqësia që të kem sa të dua për të ngrënë, sepse një ditë kam për të qenë i lirë’. Dhe kur beson në vlera të caktuara ashtu si fëmijët e Berlinit, në diçka që është e rëndësishme në jetë, atëherë nuk duhet ta shkatërrosh atë, vetëm sepse kërkon kënaqësinë. Kështu p.sh. nuk bën të thuash: Po provoj ca droga, punë e madhe".

Gail Halvorsen, sot 87-vjeçar, tregon akoma me entuziazëm për fluturimet e atëhershme. Faktin që ka shpëtuar gjallë, ia dedikon gjeneralit William H. Tunner, i cili e pati planifikuar atëherë urën ajrore. Tunner gjithmonë thoshte: “Një urë ajrore është si një simfoni”. Secili ka pjesën e vet, secili duhet t´i bjerë një instrumenti. Kuzhinierët, policët dhe veçanërisht mekanikët e avionëve. Sepse pa to nuk do të ishte ngritur asnjë avion. Në dimër nuk kishte sa duhet hangarë dhe avionët rrinin jashtë me motorët të mbuluar vetëm më një shtresë plastikë. Dhe ata ishin atje jashtë. Gishtërinjtë i ngrinin ndër vida, kur ndërronin motorët. Ushtria, që shpërndante ndihmat, marina, që sillte furnizimet përmes Atlantikut, të gjithë luanin rolin e tyre. Ishte një simfoni, siç ka thënë Tunner. “Nga viti 1970 deri në vitin 1974 ai ka qenë komandant i bazës ajrore amerikane në Berlin, Tempelhof. Që aeroporti do të mbyllet, ai e di. Ai është kundër kësaj, por thotë: “Tempelhofi është si statuja e lirisë e Gjermanisë, sepse ai përfaqëson urën ajrore. Por qeveria gjermane duhet të vendosë se çfarë ndodh me të. Nuk është vendimi im. Ai është një pjesë e jetës sime, unë do ta kisha qejf ta shihja të gjallë. Por n.q.s. nuk mund të jetojë, atëherë e pranojmë të pashmangshmen dhe vështrojmë drejt së ardhmes dhe nuk qëndrojmë tepër në të kaluarën".

*Dojçe Vele

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›