Lobimi për njohje të reja, Hyseni vazhdon takimet në OKB
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, ka vazhduar takimet e shumta në Nju Jork, me qëllim të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë bërë ende këtë dhe me qëllim të bashkërendimit të veprimeve me shtetet aleate, pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Përveç takimeve me përfaqësues të përhershëm të akredituar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara nga shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, ku ka folur në lidhje me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe ka ripërsëritur thirrjen për njohje, ministri ka biseduar dje në takime të veçanta edhe me ambasadorët e Francës dhe të Italisë në Kombet e Bashkuara. Këto biseda janë zhvilluar në kuadër të takimeve me partnerët e shteteve të pesëshes (Quint-it), e që kanë për qëllim bashkërendimin e ngushtë të veprimeve pas mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, thuhet në një komunikatë shtypi të Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Në takimet me ambasadorin Gerard Araud të Francës dhe Gian Lorenzo Cornado të Italisë, Hyseni ka vënë theksin te nevoja dhe rëndësia e bashkërendimit të hapave dhe veprimeve që do të ndërmerren në periudhën pas mendimit të GJND-së. Ndërsa në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hyseni ka thënë se Kosova është e hapur për bisedime me Serbinë në nivel shtet me shtet, por se thirrjet e Serbisë për negociata për statusin janë destruktive. Hyseni ka shtuar se në thelb, një gjë e tillë kërkohet nga projektrezoluta që Serbia ka paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. “çdo thirrje për negociata për statusin, është një thirrje për trazira dhe destabilitet”. Kryediplomati kosovar ka përsëritur qëndrimin e Prishtinës kundër çdo ideje për ndarjen e Kosovës dhe për ribërjen e kufijve në Ballkan.
#