E Diel, 1 Nëntor 2026

Lobisti i qeverisë do marrë 10 milion dollarë nga shitja e Albpetrolit

Share

Patton Bogs, kompania që lobon për Berishën në Uashington, do marrë 2.5 përqind të vlerës së Albpetrol kur kompania të shitet. Vlera e kësaj kompanie mendohet se është rreth 400 milion dollarë. Kështu, kompania që lobon për Berishën, merr nga paratë e shqiptarëve edhe direkt siç mori disa ditë më parë, kur qeveria e pagoi për lobim, por edhe indirekt kur lobon për shitjet e kompanive shtetërore, siç mori për ARMO-n 4 milion dollarë

Qeveria ka nxjerrë në shitje të gjithë aksionet e saj në kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol. Projektligji, ku parashikohen edhe procedurat e shitjes sapo ka mbërritur në Kuvend dhe pritet të shqyrtohet në mbledhjet e radhës të Komisionit të Ekonomisë. Për tu theksuar është fakti që ndryshe nga privatizimet strategjike të bëra gjatë viteve të fundit, ku ka mbajtur një pjesë të vogël të aksioneve, kësaj radhe, qeveria ka vendosur që të heqë plotësisht dorë nga pronësia shtetërore tek Albpetroli. 100 për qind e aksioneve të kapitalit u ofrohen për transferim investitorëve strategjikë të cilët janë shoqëri të specializuara në fushën naftës dhe të gazit, nëpërmjet shitjes së aksioneve me procedurë të hapur. Pagesa e kësaj paketë të aksioneve bëhet me para, përcaktohet në projektligjin e propozuara nga qeveria. Vlera totale e aseteve të Albpetrolit përllogaritet që të jetë mbi 400 milionë dollarë duke e bërë atë privatizimin më të shtrenjtë që ka bërë qeveria gjatë këtyre viteve. Të paktën kjo është vlera paraprake që pohojnë burime konfidenciale nga METE, vlera fillestare e tenderit pritet të shpallet nga qeveria.

Një pjesë e të ardhurave do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve për organizimin e tenderit dhe pagesën e kompanisë së huaj konsulente, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave që do të mblidhen nga shitja, do të derdhen në buxhetin e shtetit. Shuma e përfituar do të përdoret gjithashtu edhe për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin e punonjësve që do të dalin në reformë.

Kompania e huaj e përzgjedhur për të bërë vlerësimin është Patton Boggs, e cila njëkohësisht paguhet nga qeveria shqiptare për të lobuar në emër të saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E njëjta kompani ka bërë edhe konsulencën gjatë shitjes së ARMO-s, duke përfituar 4 milionë dollarë nga ky transaksion. Sipas ligjit të miratuar nga qeveria, kompania në fjalë pritet të marrë 2.5 për qind të vlerës së shitjes. Në inventarin e saj, Albpetrol ka gjithsej 4 000 puse, nga të cilët vetëm 1 260 janë në shfrytëzim, 1 500 i përkasin fondit të ndaluar dhe pjesa e mbetur mbahet nën vëzhgim. Albpetrol e ka të shtrirë aktivitetin e tij në disa zona të vendit, në të cilat gjendet asete me vlerë dhjetëra milionë dollarë. Aktualisht, nëntokën shqiptare për nxjerrje nafte e shfrytëzojnë, kompani të tilla si Bankers Petroleum, Stream Oil, Sherëood, etj., ndërkohë që së fundmi janë ofruar oferta edhe nga kompani të tjera./shekulli

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›