Merkel flet për daljen e Greqisë nga eurozona
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka folur për herë të parë për mundësinë e daljes së Greqisë nga eurozona. Kancelarja tha se ata janë të përgatitur për këtë gjë. Të mërkurën në mbrëmje Merkel dhe Sarkozi ishin të qartë: Asnjë para nuk do shkojë më për grekët, derisa ata të qartësojnë qëndrimin e tyre. Sarkozi apeloi për një konsensus politik në Greqi. Ai tha se është legjitime që të pyetet populli, por referendumi duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur- ndoshta në 4 ose 5 dhjetor. Dhe pyetja që do shtrohet do jetë shumë e qartë: A do Greqia që të qëndrojë në eurozonë, apo jo?
Por në Athinë ka shpërthyer një luftë tjetër. Ministri i Financave, Evangelos Venizelos është pozicionuar hapur kundër Papandreut, kundërshton votimin nga populli. Vëzhguesit janë të sigurt: Venizelos kërkon të rrëzojë Papandreun.
Në pritje të Samitit të G20, kriza greke ka eklipsuar gjithçka. Një takim paraprak u bë mes Gjermanisë, Francës, Spanjës e Italisë. Po ashtu aty ishin edhe përfaqësuesit e KE dhe të FMN. Asnjë përfaqësues nga Greqia nuk ishte i pranishëm.
Kurse mediat gjermane po ziejnë. BILD kërkon një referendum në Gjermani për të votuar për nxjerrjen e Greqisë jashtë zonës euro.