Meta i kërkon takim Ramës, PS-ja refuzon
Shaban Sulçe
Ilir Meta i bën apelin e fundit kryetarit të PS-së Edi Rama për të bashkëpunuar në mbrojtje të Kushtetutës. 48 orë nga afati i vendosjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të miratuara në Parlament, kryetari i LSI-së i bëri thirrje Ramës që t’i bashkohet nismës së LSI-së për të organizuar referendumin në mbrojtje të Kushtetutës. Madje për këtë Meta u shpreh i gatshëm edhe për t’u takuar me kryetarin e PS-së, Edi Rama. “Jam sot këtu përsëri, për çështjen më të rëndësishme që ka vendi dhe që ka populli shqiptar, që ka të bëjë me puçin Kushtetues të natës së 21 Prillit, i cili rrezikon të hyjë në fuqi pas pak ditësh në rast se nuk do të ketë një kontribut modest nga ana e deputetëve socialistë, që për fat të keq e votuan atë në 21 Prill. Prandaj, në vijim edhe të letrës time të hapur publike, drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste, z.Rama, me të cilin jam gati në 48 orët e ardhshme, që të takohem në çdo minutë, që ai do ta ketë të lirë dhe në dispozicion të një çështje shumë të madhe që ka të bëjë me Kushtetutën dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Jam gati ta takohem me të dhe me ekspertë, jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të pavarur edhe prestigjozë të së drejtës kushtetuese, edhe me ekspertë të huaj. Përse? Sepse për fat të keq vura re dje një reagim refraktar ndaj kompromisit të madh, që unë i ofrova publikisht, z.Rama, si kryetar i Partisë Socialiste, që vërtetë të nisim një bashkim të ri, por duke filluar nga rivendosja e sovranitetit të popullit shqiptar dhe të Republikës Parlamentare. Ndaj dy janë edhe arsyet, që unë mendoj se ai vazhdon të jetë refrektar dhe injorues, përpara këtij puçi që ka ndodhur dhe që rrezikon të hyjë në fuqi. E para, ajo që unë dëshiroj është që ai të mos e ketë lexuar ndonjëherë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. E dëshiroj këtë, sepse e dyta mbetet që ai të ketë vepruar atëherë me bindje të plotë në dhunimin e Kushtetutës dhe të sovranitetit të popullit shqiptar”, deklaroi Meta.
PS
Por, pavarësisht apelit të vazhdueshëm të kreut të LSI-së në drejtim të Edi Ramës, nga selia rozë vijnë sinjale negative. Kryesia e Partisë Socialiste i është përgjigjur dje letrës që Meta i dërgoi disa ditë më parë Ramës, për të bashkëpunuar për mbrojtjen e Kushtetutës. Përgjigjja e kësaj letre ka qenë refuzuese, ndërkohë që në të nuk kanë munguar edhe akuzat në drejtim të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, deklaroi në një konferencë për shtyp: “Duke ndjerë keqardhje për gjuhën e papërshtatshme të letrës dhe duke vënë re mungesën e qartësisë e qetësisë së zotit Ilir Meta edhe në këtë adresim të shkruar publik, sekretariati Ekzekutiv dhe Kryesia e Grupit Parlamentar Socialist ranë në një mendje për të kërkuar nga drejtuesi i LSI-se që të reflektojë pa mllef mbi devijimin e tij krejt të pajustifikuar të kohëve të fundit e të kthehet në rrugën e arsyes e të bashkëpunimit. Të mos jesh dakord me vendimet e shumicës është natyrë e jetës demokratike, të veprosh për t'i ndryshuar vendimet e shumicës parlamentare në rrugë referendare është pjesë e të drejtave e lirive të njerëzve në demokraci, ndërsa të kërcënosh e anatemosh një shumicë kushtetuese sepse ushtron një të drejtë kushtetuese për ndryshimin e ligjit themelor të shtetit në Parlament, është shprehje e një kulture të vjetër antidemokratike e antiinstitucionale, që i ka sjellë plot dëme vendit e shoqërisë sonë”, - deklaroi Kodheli.
PDS
Po dje ka reaguar edhe Partia Demokracia Sociale. Në një njoftim për shtyp, PDS-ja denoncoi përpjekjet e dy partive të mëdha për të sabotuar nismën e LSI-së dhe një grupi të përgjegjshëm deputetësh, për të organizuar referendumin në mbrojtje të Kushtetutës. “Partia Demokracia Sociale konstaton me shqetësim se përkundrejt
nismës së një grupi deputetësh për të çuar në referendum popullor disa ndryshime që iu bënë Kushtetutës, ka nisur në heshtje e në
kulisa, por edhe në mënyrë aktive e publike përpjekja e dy partive, PD e PS, për ta sabotuar atë”, - tha kryetari i PDS-së, Paskal Milo. Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin refuzues të Partisë Socialiste ndaj ftesës së bërë nga LSI-ja dhe partitë e tjera të së majtës. “Lidershipi i PS-së nuk duhet ta hedhë poshtë apriori ftesën e LSI-së për bashkëpunim referendar, që është edhe ftesa jonë. Bashkëpunimi dhe fryma e mirëkuptimit duhet të jenë thelbi i asaj që quhet politikë e re. Mirëkuptimi sot do të ketë një kosto më të vogël sesa mirëkuptimi i sforcuar nesër, në prag të zgjedhjeve të ardhshme”, - u shpreh Milo.
Anëtarja e kryesisë së LSI dorëzoi letrën në PS
Anëtarja e Kryesisë së LSI-së Luzhiana Abazi ka dorëzuar dje zyrtarisht në selinë e PS, letrën ku kryetari i LSI, z.Ilir Meta fton atë të PS, Edi Rama në një takim për Kushtetutën. Pas dorëzimit të letrës Abazi tha: “Është një kërkesë që kryetari i LSI-së i bën kryetarit të PS-së për një takim për kushtetutën. E solla këtë kërkesë, si themeluese e FRESH dhe si themeluese e PS që në vitin 1992. Po e deklaroj këtë se janë etapa që kemi ndjekur të gjitha fushatat elektorale që janë bërë për dy referendume, të firmosur nga të gjithë socialistët dhe populli shqiptar dhe për të treguar që ky referendum është nga i gjithë populli dhe jo nga dy koka partish”, u shpreh Abazi. Lidhur me akuzat e bëra nga zëdhënsja e kryesisë së PS-së Mimi Kodheli, Abazi tha: “Zonja Mimi, siç ka ndryshuar emrin mund të ndryshojë dhe partitë. Por, Kushtetuta nuk mund të ndryshojë, sa herë që ndryshon emrin dhe partitë Mimi”.
3 Maj 2008