E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: “Duhet demokraci parlamentare funksionale”

Autori i Lajmit: RedaksiaAmbasadori i Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan, i ka bërë apel politikës të përcaktojë sa më parë prioritetet për vendin, në kohën që Bashkimi Evropian po përgatit opinionin për Shqipërinë. Apeli është bërë dje në një deklaratë për mediat gjatë punimeve të Forumit të tretë Rajonal të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin kufitar. Lohan deklaroi për mediat se në Shqipëri nevojitet të rikthehet demokracia parlamentare funksionale sidomos në kohën, tha ai, që Brukseli po përgatit opinionin për vendin tone. “Është koha ti jepet fund stanjacionit politik në Shqipëri. Këtu nevojitet të kthehet sa më parë demokracia parlamentare funksionale. Siç e dini Komisioni Evropian po përgatit opinionin për sa i përket statusit kandidat për Shqipërinë, por çdo zgjatje e situatës aktuale politike do të dëmtojë objektivin e përgatitjes së opinionit. Me do të mirëpresim hapat që do të ndërmerren për zgjidhjen e kësaj çështjeje sa më parë”, - tha Lohan. Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila së bashku me ambasadorin Lohan ishte e pranishme në forumin e trete rajonal të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunimin ndërkufitar, lëshoi akuza për qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj çështjes së kredencialeve të delegacionit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës. “Unë besoj se edhe shqiptarët e tjerë në këto vite të zhvillimit dhe të ndërtimit të demokracisë kanë menduar dhe kanë marrë mesazhe, pavarësisht nga cila anë e politikës, vetëm për të qenë pjesë e Evropës. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë forcë politike përgjatë këtyre viteve përveç këtij rasti një mesazh drejtuar Evropës për të dalë jashtë Evropës. Ky ishte jo vetëm çudi, por ishte turpi më i madh që ka ndodhur gjatë këtyre viteve nga përfaqësues të politikës shqiptare. Sigurisht që kjo retorikë e ftesës për opozitën jo vetëm nga qeveria shqiptare, jo vetëm nga politikanët e mazhorancës, por nga të gjithë ndërkombëtarët, bojkoti nuk sjell asnjë dobi përveçse i bën dëm vendit dhe që diskutimi dhe zgjidhja e problemeve bëhet në Parlament”,- tha Bregu. Forumi i 3-të Rajonal të CBIB i mbledhur për herë të parë në Tiranë synon nxitjen e bashkëpunimit midis vendeve të rajonit për të rritur cilësinë e programeve ndërkufitare, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e zonave të ndryshme të vendeve të rajonit. Ministrja Bregu njoftoi hapjen e programit IPA CBC me Kosovën. “Ne jemi të angazhuar seriozisht për të bashkëpunuar me Strukturën Operative të ngritur në Kosove dhe për ta asistuar atë në punën e saj për të përfunduar në kohë programin operacional dhe për ta dorëzuar atë në prill pranë Komisionit Evropian. Ne jemi duke ngritur Task-forcën e Programit të Përbashkët dhe jemi gati të drejtojmë dhe kordinojmë këtë proces në bashkëpunim të ngushtë me palën kosovare”,- ka theksuar ministrja Bregu.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›