E Diel, 1 Nëntor 2026

Toçi: “Protestat në Orikum, kërkohet zgjidhje konsensuale”

Autori i Lajmit: Redaksia

Partia Socialiste ka reaguar pas protestave të zhvilluara në Orikum. "Dje, disa qindra banorë të Orikumit vijuan protestën e radhës në kundërshtim të ligjit Nr.10 208, datë 23.12.2009 “Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Në vend që të dëgjojnë zërin e njerëzve që po u grabitet toka njerëz të veshur me pushtet në Tiranë dhe në Vlorë dërguan Policinë e Shtetit për tiu kundërvënë me dhunë protestës paqësore, duke sjellë në kujtesë konfrontimet e tetorit të vitit të kaluar me banorët e Orikumit dhe skenat e turpshme të kësaj policie, e cila për interesat e një klani që ka uzurpuar pushtetin prangos dhe përgjak një komunitet të tërë të pambrojtur", - tha deputeti socialist, Fatmir Toçi. Ai kujtoi thirrjen drejtuar presidentit Bamir Topi që të mos e dekretonte këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, por që nuk e zgjidh as problemin e subjekteve të shpronësuara, pa u diskutuar më parë me të gjitha grupet e interesuara, pronarët e vjetër dhe përdoruesit e sotëm, për ti dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi, që vetëm ka nxitur konflikte dhe ka penguar e bllokuar zhvillimet normale të vendit për dy dekada të tëra. “U bëjmë thirrje strukturave të Policisë së Shtetit që të mos bëhen vegël e verbër e partiakëve lokalë, e pushtetit dhe shërbëtoreve të tij, që të heqë dorë nga ushtrimi i dhunës ndaj njerëzve në nevojë dhe të respektojë të drejtën e tyre kushtetuese për protesta paqësore”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›