E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli përshëndet rezolutën: “KE kërkoi të ndalet bojkoti”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë seancës së sotme plenare përshëndeti rezolutën për Shqipërinë të miratuar pasdite nga europarlamentarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës. "KE sot i bëri apel opozitës që të ndalë bojkotin dhe të hyjë në Parlament, ndërsa eurodeputetët miratuan dy amendamente të rëndësishme të propozuara nga delegacioni shqiptar",- tha kryeparlamentarja. Edhe deputetë të tjerë që morën fjalën përshëndetën rezolutën e KE-së, duke dënuar qëndrimin e liderit të opozitës, Edi Rama, ndaj proceseve integruese të vendit. "Tentativat që Rama po bën për ngadalësimin e hapave të Shqipërisë drejt BE-së do të dështojnë",- tha deputeti i PD-së, Edi Paloka, sot në Kuvend. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, gjatë fjalës së saj në Parlament, peëveç se ka përshëndetur rezolutën e KE, ka hedhur kritika të ashpra ndaj Edi Ramës për bojkotin e Parlamentit. Sipas Bregut, ky bojkot vjen si pasojë e politikës së kreut të PS për të shkelur Kushtetutën dhe institucionet e vendit. “Rama nuk ka bojkotuar vetëm Parlamentin, por të gjithe ata që e kanë votuar. Ai veproi si një anarshist i denjë politik. Rama jo vetëm që ka zgjedhur taktiken e gabuar, por shkeljen e Kushtetutës dhe institucioneve e ka parim të jetës së tij”,- ka pohuar Bregu. Ajo ka theksuar se Rama duhet ti vërë veshin rezolutës së miratuar nga KE, institucion që, sipas saj, ai e konsideron si Këshillin Bashkiak. “Asnje shqiptar nuk e deshiron prishjen e ëndrrës për të qenë pjesë e Evropës. Por Rama e konsideron Këshillin e Evropës si Këshillin Bashkiak, qe duhet te bëjë çfarë thotë ai”,- ka shtuar Bregu. Kuvendi ka diskutuar më tej një sërë marrëveshjesh dhe projektligjesh, por pa mundur ti miratonte për shkak të mungesës së kuorumit.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›