Mingon: “Debatet politike të zhvillohen në Parlament”
Autori i Lajmit: Redaksia
Këshilli i Evropës ka diskutuar dje gjerësisht situatën politike në Shqipëri. Para seancës së pasdites ku u votua dhe draftrezoluta e raporterëve Jako Lakso dhe David Uilshire, Asambleja Parlamnetare e KE-së ka zhvilluar një seancë pyetje-përgjigje për të sqaruar më mirë situatën politike në Shqipëri. Jean-Claude Mignon, zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare këshilloi partitë politike shqiptare që të sillen me përgjegjshmëri. Sipas tij, debati dhe diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës duhet të zhvillohen në Parlament në mënyrë që të përcillet ideja se realisht në këtë vend nuk ka krizë, por thjesht probleme konstituimi. Sipas tij, secila parti duhet të respektojë angazhimet që ka marrë para popullit shqiptar.
Zëvendëspresidenti
“Ajo çfarë ndodhi në Komisionin e Monitorimit është që dëgjuam një përfaqësues të mazhorancës e përfaqësuesin e opozitës për të parë më qartë këtë situatë që është paksa e komplikuar", - tha Jean-Claude Mignon, zëvendëspresident i Asamblesë. Deputeti i së djathtës franceze Jean-Claude Mignon nuk preferon të përdorë termin "krizë politike", duke respektuar dhe një nga amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike. “Sot duhet që partitë politike në Shqipëri të sillen si qenie të përgjegjshme që ta drejtojnë më mirë vendin, që ta rindërtojnë atë, për të dëshmuar që nuk ka një krizë, por thjesht probleme kontestimi, që mazhoranca dhe opozita apo opozita e mazhoranca, brenda në Parlament sillen me maturi për të bërë punën që populli shqiptar u ka kërkuar që ta bëjnë”, - tha ai. Mingon është shprehur pro mendimit që Komisioni i Monitorimit të ndjekë nga afër situatën në Shqipëri për të parë nëse Shqipëria i respekton angazhimet e saj që kontraktuan ditën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. “Politika e "karriges bosh" nuk është e mirë dhe besoj se për shkak të ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit në Shqipëri, opozita duhet të kuptojë se duhet të respektohen rregullat. Ka parregullsi, por më thoni kush është sot vendi pa parregullsi zgjedhore? Unë jam francez dhe rregullisht ka zgjedhje lokale e nacionale në vend që mund të anulohen nga Këshilli i Shtetit, pasi konsiderohet që në rrethana të ndryshme ka pasur parregullsi, por jo për këtë arsye duhet hedhur poshtë tërësia e zgjedhjeve. Këtë Shqipëria, sot duhet që ta kuptojë”, - u shpreh Mingon pak orë para diskutimit final për miratimin e projektrezolutës për Shqipërinë. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Jean-Claude Mignon aderon në partinë e presidentit Sarkozi, UMP dhe është deputet në Parlamentin francez prej vitit 1998.
Ky lajm është publikuar: 29/01/2010