E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratimi i rezolutës, Topi takim me ambasadorët

Autori i Lajmit: Redaksia
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, pritet të takojë sot ambasadorin e Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut LOhan dhe ambasadorin e Spanjës që mban dhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, Manuel Montobio. Takimi vjen një ditë pas miratimit në Asamblenë e Këshillit të Evropës të rezolutës për situatën politike në Shqipëri. KE ka miratuar pa ndryshime propozimin e raportuesve Jako Lakso dhe David Uilshire për ndërhyrjen e Presidentit si institucioni mbi palët për të zgjidhur situatën politike. Ata sugjerojnë hapur një rol ndërmjetësuesi të Topit. Edhe pse një rekomandim i tillë nuk është mirëpritur nga demokratët duket se KE synon ta vërë në zbatim atë. Kjo pritet të jetë një nga çështjet kryesore të diskutimit mes tyre, ndërkohë që pritet të detajohet më tej dhe mënyra se si duhet të veprojë Shqipëria pas miratimit të rekomandimeve të KE-së. Kreu i Shtetit, edhe pak ditë më parë, zhvilloi një takim me ambasadorët Lohan dhe Montobio. Topi në këtë takim shprehu angazhimin maksimal të shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij për vazhdimin e luajtjes së rolit pozitiv dhe konstruktiv në rajon si dhe përmbushjen e kushteve dhe standardeve që do të mundësojnë si liberalizimin e regjimit të vizave, ashtu edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Gjatë bisedës, personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi.

Ky lajm është publikuar: 29/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›