Lohan: “Duhet shumicë votash për reformën në Drejtësi”
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e realizimit të reformës në Drejtësi. Gjatë inaugurimit të ndërtesës së re të Gjykatës së Krimeve në Rënda, Lohan ka komentuar dhe situatën aktuale politike në vend. Ai ka kërkuar që të zhbllokohet mosfunksionimi i Kuvendit, pasi sipas tij, ligjet e rëndësishme, kryesisht ato që lidhen me reformën në Drejtësi, kërkojnë shumicë votash. “Është fakt që shumë prej ligjeve kërkojnë shumicë të cilësuar në Parlament, prandaj ky i fundit paraqet nevojën e zhbllokimit të tij. Mirëfunksionimi i Gjyqësorit paraqet një nga kushtet e rëndësishme të aderimit të Shqipërisë drejt strukturave të Bashkimit Europian. Pavarësia e Gjyqësorit është sfidë për Shqipërinë dhe për të arritur këtë duhen strategji afatgjata”, - theksoi dje shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Ambasadori theksoi se shumica e ligjeve duan shumicë të cilësuar në Parlament. “Sfidë kryesore për Shqipërinë është pavarësia e Gjyqësorit, për këtë arsye duhet vullnet nga të gjitha palët. S’ka shtet ligjor të shumicës dhe pakicës. Ndaj ne mendojmë se për strategjinë e Gjyqësorit duhet vullnet të gjerë politik”, - theksoi Lohan. Sipas ambasadorit të KE-së, për sistemin gjyqësor duhet një strategji e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa ka shtuar se “kushtet në Gjykata dhe Prokurori janë jo të mjaftueshme për efikasitet”.
6 Shkurt 2010