Akuza, Dade: “Topalli nuk mund të mbulojë me shpifje keqpërdorimin e fondeve të Kuvendit”
Menjëherë pas reagimit të deputetes së Partisë Socialiste, Arta Dade, për akuzën se ajo dhe Erion Braçe nuk kanë dorëzuar makinat e tyre pranë Kuvendit, zëdhënësi i Kuvendit të Shqipërisë, Marlind Myftiu, në një njoftim për shtyp ka përgënjeshtruar akuzat ndaj saj dhe deputetit Braçe. Akuzat ndaj Dades dhe Braçes u bënë nga kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, dy ditë më parë, gjatë seancës plenare. “Nuk është hera e parë që Jozefina Topalli mashtron, dezinformon opinionin publik dhe shpif për personalitete të Partisë Socialiste. Kam refuzuar t’i përgjigjem vulgaritetit të Jozefina Topallit që ofron model negativ në politikë. Por rastet e përsëritura të shpifjes më detyrojnë që në respekt të opinionit publik të sqaroj se automjeti që unë kam pasur në përdorim është dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë që në muajin shtator. Jozefina Topalli nuk mund të mbulojë me shpifje dhe mashtrime keqpërdorimin e fondeve të Kuvendit dhe abuzimin me pushtetin”, - u shpreh Dade. Ndërsa zëdhënësi i Kuvendit, Marlind Myftiu, tha se administrata e Kuvendit, në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga hyrja "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë", u kërkon ish-deputetëve, apo atyre që kanë marrë mandate nga KQZ-ja, që të dorëzojnë makinat e Kuvendit apo të institucioneve të tjera të marra si ish-deputetë. Ai nënvizoi se nëse ato do të vonojnë përsëri dorëzimin e automjeteve, administrata e Kuvendit do të bëjë publik emrat e tyre. “Njoftojmë gjithashtu se sot një tjetër deputet i opozitës dorëzoi automjetin që kishte në përdorim, ashtu si zonja Dade dhe zoti Braçe që i kanë dorëzuar. Duke besuar në respektimin e ligjit, administrata e Kuvendit shpreson në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me secilin prej tyre”, - është shprehur Myftiu në njoftim.
6 Shkurt 2010