OSBE-ja organizon forum për zvogëlimin e pabarazisë gjinore në politikë
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka zhvilluar dje një forum në qytetin e Shkodrës me pjesëmarrjen e grave drejtuese në jetën politike dhe publike. Forumi i Shkodrës vjen në vazhdën e një sërë forumesh të zhvilluara në Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. “Zvogëlimi i pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të jetës publike mbetet një çështje kyçe për Shqipërinë. Të gjithë partnerët, vendas dhe ndërkombëtarë, janë të gatshëm të punojnë për arritjen e këtij qëllimi”, - tha Renate Herrmanns, zëvendëskryetarja e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. Deputete të Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtare të larta të pushtetit qendror dhe vendor diskutuan se si të rrisin pjesëmarrjen e grave në të gjitha sferat e jetës politike dhe publike dhe se si të forcojnë aftësitë e tyre. Gjithashtu, forumet mundësuan bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit mes grave, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje. “Këto forume synojnë të nxisin pjesëmarrjen aktive të grave në procesin zgjedhor, si dhe të rrisin kapacitetet e grave të zgjedhura dhe atyre që synojnë të zgjidhen. Në këtë mënyrë, ato do të kthehen në një forcë lobuese të fuqishme, duke bërë që autoritetet publike të jenë më përgjegjëse dhe t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të grave e vajzave”, - tha Filloreta Kodra, zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, gjatë forumit në Shkodër.
Europarlamentari Hannes Swoboda: “Bojkoti parlamentar dëmton imazhin e Shqipërisë në BE”
Europarlamentari Hannes Swoboda, në një intervistë për Dojçe Vellen ka bërë të ditur se bojkoti parlamentar dëmton imazhin e Shqipëri në BE. Ndërsa ka komentuar krizën politike në Shqipëri, Swoboda ka theksuar se partitë politike në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të dalin nga kjo bllokadë që nuk mbështetet nga BE-ja. “Tani duhet të shikojmë se si mund të bashkëpunohet për të kapërcyer këtë bllokadë. Ky është tani një shans për kapërcimin e krizës. Berisha dhe qeveria e tij duhet të bëjnë propozime për Partinë Socialiste në opozitë dhe opozita duhet të mundohet që të kthehet në Parlament me një strategji për të bërë një opozitë të fortë”, - është shprehur europarlamentari. I pyetur për kushtin kryesor të socialistëve që është hapja e kutive, Swoboda tha se “e mundur është gjithçka nëse njeriu do, por në qoftë se gjykata ka vendosur se nuk ka diçka për t’u korrigjuar, atëherë vendimi i saj duhet pranuar, megjithëse njeriu nuk është i kënaqur. Sido që të jetë, grupet e mëdha duhet të shohin se si mund ta kapërcejnë këtë krizë. Kjo nuk mund të kalojë në qoftë se qeveria qëndron vetëm në pozicionet e veta dhe opozita në të sajat, por duhet të gjendet një kompromis i përbashkët”, - është shprehur europarlamentari. Më tej Swoboda i përgjigjet pyetjes se pse Brukseli dhe Strasburgu kanë heshtur deri tani dhe po reagojnë pas 6 muajsh krizë në vend. “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e brendshme. Në qoftë se një shtet nuk është në gjendje t’i zgjidhë vetë problemet e brendshme, ne nuk mund t’i zgjidhim ato nga jashtë. Ne mund të japim udhëzime, mund të kryejmë bisedime me ta, gjë që e kemi bërë shpesh, madje edhe unë personalisht. Por, në fund të fundit, është vetë shteti ai dhe po ashtu politikanët që duhet t’i zgjidhin problemet. Sepse në qoftë se një shtet nuk i zgjidh vetë problemet, atëherë kjo do të thotë që ky shtet nuk është pjekur akoma për t’u bërë anëtar i BE-së”, - ka theksuar europarlamentari. Ai ka theksuar se çdo bojkot apo çdo situatë konflikti dëmton imazhin e Shqipërisë në BE. “Çdo konflikt i brendshëm dhe sidomos bojkoti parlamentar është një dëmtim i imazhit të shtetit para BE-së. Kjo është mëse e qartë. Veçanërisht në një kohë kur diskutohet për çështje të mëdha, siç është liberalizimi i vizave për bisedimet për anëtarësimin në BE. Është mirë për një vend që për çështje të rëndësishme të gjejë konsensus. Ka shumë tema për konflikte, por, përsa u përket çështjeve të rëndësishme, duhet konsensus i grupeve të mëdha parlamentare”, - ka theksuar përfaqësuesi i Parlamentit Europian.
6 Shkurt 2010