Montobio: “Duhet të respektoni standardet e BE-së për zgjedhjet”
Brenda muajit shkurt në Shqipëri do të vijnë dy delegacione nga BE-ja
Eljona Ballhysa
Dy delegacione nga Këshilli i Europës do të monitorojnë Shqipërinë brenda muajit shkurt. Këtë e bëri të ditur dje ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobio, gjatë prezantimit të programit të Presidencës spanjolle të BE-së për gjashtë muajt e ardhshëm. Gjatë fjalës së tij ambasadori ka vënë theksin në domosdoshmërinë e përmbushjes së një sërë reformave nga Shqipëria për të përfituar integrimin europian. Duke iu referuar situatës së vështirë politike në vend, ambasadori Montobio u shpreh se Shqipëria më parë duhet të respektojë dhe të përmbushë standardet e BE-së përsa u takon zgjedhjeve, në mënyrë që rezultati përfundimtar të pranohet nga të gjitha palët. Ai i bëri apel qeverisë që të përmbushë këto detyrime të domosdoshme për integrimin e vendit në BE, ndërsa bëri të ditur se Shqipëria do të monitorohet nga dy delegacione të BE-së. Kjo vëmendje e BE-së për Shqipërinë vjen në një moment kur vendi ndodhet në krizë politike prej gjashtë muajsh. Në një situatë të tillë, faktori ndërkombëtar po rrit presionin për përfaqësuesit politikë në Shqipëri që t’i japin fund krizës në vend dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme për integrimin europian.
Deklarata
Duke folur për programet dhe prioritetet e Presidencës Spanjolle të BE-së për 6-mujorin e parë të vitit 2010, Montobio bëri të ditur disa kushte që duhet të plotësojë Shqipëria për të përfituar jo vetëm procesin e liberalizimit të vizave, por edhe marrjen sa më parë të statusit të vendit kandidat në BE. Ai theksoi se është e nevojshme që në vend të ketë ndryshime cilësore në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të një administrate shtetërore profesioniste të papolitizuar. “Metamorfoza juaj duhet të ecë në drejtimin e duhur, me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës, respektimin e standardeve të BE-së për zgjedhjet, ku të gjitha palët të bien dakord, funksionimin e një administrate që të jetë e mbështetur te meritat e personelit, luftën kundër korrupsionit etj.”, - është shprehur kryediplomati spanjoll. Gjithashtu, ambasadori Montobio tha se në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, Shqipëria duhet të përballet dhe me procese teknike si liberalizimi i vizave, për të cilin duhen përmbushur disa standarde, ndërsa ecuria e tyre do të monitorohet nga misionet e Këshillit të Europës. Në këtë kuadër, kryediplomati spanjoll në Tiranë informoi se javën e ardhshme në Shqipëri do të vijë një mision i tillë dhe një tjetër në fund të muajit shkurt, të cilët më pas do të çojnë vlerësimet e tyre pranë Këshillit të BE-së.
Statusi
Lidhur me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, ambasadori Montobio veçoi rëndësinë e përgjigjeve të Pyetësorit, të cilat do të japin gjendjen aktuale të vendit dhe Këshilli merr një ide të përgjithshme. Ambasadori spanjoll vijoi apelin ndaj qeverisë shqiptare dhe sa i takon perspektivës së saj për të qenë pjesë e BE-së pas marrjes së Pyetësorit. Ai pohoi se nuk duhet thjesht të jepet përgjigjja e pyetjeve, por se sa është e gatshme Shqipëria t’i përmbushë ato. Në këtë pikë ambasadori spanjoll theksoi nevojën e të qenit shtet i konsoliduar. “Ju jeni të mirëpritur në BE, por për këtë duhet të jeni shtet, shtet në kuptimin e plotë të fjalës. Ky proces zgjerimi është si bashkëveprimi elektrik. Keni disa tela që duhet të funksionojnë. Ju duhet të adoptoheni me kërkesat e BE-së, pra të lidhni kabllot. Në rast se vendoset kjo lidhje, atëherë kjo procedurë do të jetë e njëjtë me vendet e tjera”,- u shpreh ai. Sipas tij, ecuria e procesit integrues të vendit do të diskutohet në një takim që do të mbahet në Bruksel mes palës shqiptare dhe Këshillit të Stabilizim-Asocimit të BE-së, më 10 maj.
6 Shkurt 2010