E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan: “Niveli i korrupsionit në Shqipëri mbetet shqetësues”



Eljona Ballhysa
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, e ka konsideruar nivelin e korrupsionit në Shqipëri shqetësues për proceset integruese të vendit. Deklarata e ambasadorit Lohan vjen vetëm një ditë pas publikimit të raportit të Transparency International për indeksin e perceptimit të korrupsionit në botë për vitin 2009. Ky raport e radhiste Shqipërinë në vendin e 95-të nga 180 shtete, përsa i përket nivelit të korrupsionit, duke shënuar një rënie prej 10 vendesh në listë. Shqipëria në këtë raport radhitej pas shteteve afrikane si Uganda, Ruanda, Maroku, Guatemala etj., duke treguar se niveli i korrupsionit është tejet i lartë. Lohan u shpreh dje se qeveria duhet të marrë masat dhe të thellojë luftën kundër korrupsionit në vend.
Deklarata
Në fjalën e tij gjatë konferencës rajonale për biznesin që u zhvillua dje paradite, ambasadori Lohan theksoi se niveli i korrupsionit në vend mbetet mjaft shqetësues. “Raporti më i fundit i Transparency International përbën një lajm të keq për Tiranën zyrtare. Siç edhe ka gjetur ky raport, niveli i korrupsionit në vend mbetet mjaft shqetësues. Por, veç kësaj, biznesit i duhet të përballojë edhe kosto të tjera të larta; këtu përfshihet mungesa e gjykatës administrative, që tashmë është bërë problematike. Tashmë edhe mungesa e opozitës në Kuvend përbën një problem për mosmiratimin e mjaft ligjeve të rëndësishme”, - deklaroi Lohan. Gjatë konferencës rajonale për biznesin, ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, theksoi se biznesit i duhet të përballojë një kosto të lartë, ndërsa vlerësoi se mungesa e gjykatës administrative është problematike. Lohan kërkoi që ligji për këtë gjykatë të miratohet sa më parë dhe nënvizoi se mungesa e opozitës në Kuvend përbën një problem për mosmiratimin e mjaft ligjeve të rëndësishme. Lohan siguroi se KE-ja do të vijojë të mbështesë Shqipërinë me asistencë dhe këshillat e duhura për përparimin e vendit.
Ambasadorët
Deklarata e ambasadorit Lohan erdhi vetëm një ditë pas deklaratës së ambasadorëve të vendeve të BE-së mbi raportin e TIA-s. Ambasadorët e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Mbretërisë së Bashkuar dhe i Ngarkuari me Punë i Suedisë, pasi u njohën me Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2009 të publikuar nga Transparency International, shprehën shqetësimin për rritjen e nivelit të korrupsionit në Shqipëri. “Rënia në rang ndërkombëtar e Shqipërisë është lajm i keq. Ne shpresojmë se kjo renditje do të inkurajojë fuqishëm Shqipërinë për të implementuar në mënyrë urgjente masa për ndryshimin e kësaj tendence dhe për të treguar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. Kjo do të jetë thelbësore për të çuar para integrimin e Shqipërisë në BE dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit për të tërhequr më shumë investime ndërkombëtare të nevojshme”, - shkruhet në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve. Ata përsëritën gatishmërinë e qeverive të tyre për të vijuar mbështetjen e Shqipërisë në këtë luftë kundër korrupsionit.

Qeveria, asnjë koment për raportin e Transparency International

Qeveria ka heshtur përpara fakteve që janë bërë publike nga raporti i fundit i Transparency International përsa i përket nivelit të korrupsionit të Shqipëri. Për herë të parë asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka guxuar të bëjë komente rreth fakteve të paraqitura në këtë raport. Kryeministri, por edhe ministrat e kabinetit që ai drejton, kanë heshtur përpara këtij raporti. Kjo mund të cilësohet si hera e parë që nuk vjen asnjë koment nga qeveria. Pasi edhe më parë kanë ardhur raporte kritike në drejtim të qeverisë, por përfaqësuesit e saj kanë komentuar duke e parë në këndvështrimin më pozitiv të mundshëm. Ndërsa raporti i fundit i Transparency International duket se nuk lë vend për ta parë në shumë këndvështrime, pasi lista e publikuar dhe radhitja e Shqipërisë pas shteteve afrikane përsa i përket nivelit të korrupsionit lë për të dëshiruar. Raporti i TIA-s, publikuar vetëm një ditë më parë, tregon se Shqipëria ka bërë hapa mbrapa përsa i përket luftës kundër korrupsionit. Ky raport është një kambanë alarmi për qeverinë, e cila ka shpallur luftën kundër korrupsionit prioritetin parësor të saj. Duket se gjatë vitit 2009 qeveria ka dështuar në këtë luftë.

Xhaçka: “Korrupsioni, Berisha të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë”

Partia Socialiste ka reaguar dje pas publikimit të raportit të Transparency International për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka, u shpreh se raporti provon situatën në të cilën ndodhet vendi, ku korrupsioni ka marrë përmasa dramatike. “Raporti i Transparency International, i publikuar dje, që e rendit Shqipërinë të parafundit në rajonin e Ballkanit në indeksin e korrupsionit, thjesht sa provon edhe njëherë atë që në Shqipëri tanimë e dimë dhe e përjetojmë të gjithë: korrupsioni nën sundimin e Familjes dhe për shkak të sundimit të Familjes, ka arritur përmasat e një epidemie, me pasoja dramatike për ekonominë shqiptare, për cilësinë e jetës së shqiptarëve dhe që ç’është më shqetësuesja, po komprometon seriozisht perspektivën europiane të Shqipërisë. Fakti që tanimë edhe ambasadorët e BE-së ndiejnë detyrimin të reagojnë duke e quajtur një lajm të keq rënien e Shqipërisë me 10 vende në indeksin e korrupsionit, është indikatori më dramatik që provon se korrupsioni i shfrenuar i Familjes në pushtet ka kaluar çdo cak”, - është shprehur Xhaçka. Ajo tha se fakti që ambasadorët e BE-së ndiejnë detyrimin t’i komunikojnë publikisht qeverisë së Familjes se adresimi i plagës së korrupsionit është “thelbësor për të çuar përpara integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” dhe se kërkohen “urgjentisht rezultate konkrete”, provon dhe njëherë se sa boshe janë pretendimet e Sali Berishës dhe oborrit të tij për mrekullitë e arritura në procesin e integrimit, ku lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë një ndër prioritetet parësore. “Deri sot kryefamiljari i Familjes që po sundon e po zhvat Shqipërinë ka preferuar të bëjë një vesh shurdh ndaj të gjitha kritikave të opozitës, medias e shoqërisë civile për përhapjen galopante të korrupsionit në vend. Ai s’ka ngurruar që përballë fakteve të rënda, që implikojnë drejtpërdrejtë atë dhe familjen e tij në afera të rënda korruptive, t’i njohë vetes në mënyrë qesharake atributet e një shenjtori të pakorruptueshëm e të hedhë baltë e të kërcënojë këdo që ka guxuar të denoncojë publikisht këtë sëmundje, e cila po e sfilit çdo ditë e më tepër shtetin shqiptar”, - është shprehur deputetja e PS-së. Xhaçka, në përfundim të deklaratës së saj, i ka bërë thirrje Berishës që të luftojë korrupsionin. “Ne i themi Sali Berishës që në vend që të na e shesë si një mrekulli faktin që pas plot shtatë muajsh Bashkimi Europian vendosi të hapë zarfin me kërkesën e Shqipërisë për t’u pranuar si vend kandidat, ai bën mirë t’u vërë veshin shqetësimeve të opozitës, publikut shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar për korrupsionin e oborrit të tij”, - është shprehur deputetja e PS-së.

19 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›