Lohan: Pastrimi i parave? Duhet të sfidoni krimin
Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë mbylljes së projektit dyvjeçar mbi trajtimin e pastrimit të parave dhe krimin financiar deklaroi se pas kësaj bota e krimit të organizuar duhet të marrë një mesazh të qartë, atë "Ne do t‘ju luftojmë". Institucionet financiare dhe ato në luftë kundër krimit të organizuar, sipas Lohan, duhet të tregojnë se janë të gatshme ta luftojnë atë. Eksperienca perëndimore të përcillet përmes metodave të punës në luftën e shqiptarëve ndaj krimit financiar dhe çdo rast të përfundojë në gjykatë. Nga Durrësi, në mungesë të ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, Lohan deklaroi se projekti i financuar nga Këshilli i Europës është tepër sfidues dhe ka nisur të kontribuojë konkretisht në luftën kundër krimit financiar përmes përmirësimit të metodave të punës, duke afruar më shumë vendin me Perëndimin. Ai tha se ka përmirësime në sistemin e doganave dhe atë gjyqësor në drejtim të evidentimit dhe luftës kundër parave të pista dhe krimit financiar, por theksoi se në të ardhmen e afërt të gjitha rastet duhet të dërgohen në gjykatë ku të marrin dënimin e merituar. Lohan tha se gjermanët do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë edhe pas mbarimit të këtij projekti që startoi në vjeshtën e vitit 2007. Mungesa e ekspertizës në çështjet financiare që lidhen me pastrimin e parave dhe burimet financiare të krimit, si dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve që duhet ta luftojnë këtë krim në Shqipëri nxiti nevojën e projektit të nisur në tetor‘07 dhe që dy vjet më pas mbyllet me trajnimin e dhjetëra oficerëve të Policisë së Shtetit, asaj gjyqësore, prokurorëve, ekspertëve të doganave, tatim-taksave dhe SHISH-it, të cilët janë aftësuar në çështje të investigimit. E konsideruar shpesh si lavatriçe e parave të pista, Shqipëria së shpejti do të ketë strategjinë e vet kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në terma afatmesëm dhe afatgjatë. Zyra kriminale federale gjermane në cilësinë e zbatuesit të projektit u shpreh e bindur për mbështetje në vazhdimësi. Sipas drejtorit të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, Artur Selmani, rastet e krimit financiar kanë pasur një rritje për arsye të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe e shkëmbimit të mallrave duke krijuar terrenin e përshtatshëm për krimin e organizuar dhe veçanërisht atë financiar. Në këtë kuadër, forcimi i bashkëpunimit dhe luftës ndaj tij nga organet e zbatimit të ligjit është i domosdoshëm.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi