Vrau një ish-të dënuar, shpallet i pafajshëm kryekomunari i Pultit
VENDIMI/ Togat e zeza kanë vendosur shfajësimin e Sokol Cubit pasi vrau në kushtet e vetëmbrojtjes
SHKODËR - Deklarohet i pafajshëm kryetari i komunës Pult në rrethin e Shkodrës Sokol Cubi, i cili më 27 prill të këtij viti vrau shtetasin Dodë Hili, në afërsi të spitalit rajonal. Prokuroria kishte kërkuar 6 vjet burgim për Sokol Cubin për vrasje të kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike, dënim ky i kërkuar me kusht, ndërsa Cubi nga 19 qershori ndodhej në arrest shtëpie.
Mbrojtja ka kërkuar pafajësinë e kryekomunarit i cili ka qëlluar me armën pistoletë me leje ndaj Dodë Hilit, pasi ky e kishte goditur disa herë me thikë. Sokol Prekë Cubi, 40 vjeç, si dhe të tjerë dëshmitarët okularë kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër në arsyetimin e vendimit të saj i është referuar dëshmive të marra dhe provave të grumbulluara në vendin e ngjarjes ku, sipas saj, është vërtetuar se viktima i sapodalë nga burgu kishte shkuar dhe kishte takuar kryetarin e komunës Pult, ndërsa ky ishte në një lokal në afërsi të spitalit.
Aty viktima dhe kryetari i komunës, të cilet nuk kishin konflikt të mëparshëm, janë ulur në një tryezë. Viktima Dodë Hili ka filluar të grindet me Cubin duke i thënë se përse nuk ke ardhë me më pi kafen e daljes nga burgu dhe kur ky i është përgjigjur se nuk e dinte ku jetonte, pasi Dodë Hili ishte në gjak, viktima e ka kërcënuar duke i thënë se ai i kishte nxjerrë leje për të dalë nga burgu gjaksit të tij dhe për këtë do të ndëshkohej.
Ndonëse Cubi është përpjekur ta sqarojë Dodë Hilin se ai si kryetar komune nuk kishte kompentencë t'iu jepte leje të burgosurve, por vetëm kishte lëshuar një vërtetim se nëna e Lekës ishte e sëmurë rëndë, përsëri Hili nuk është bindur dhe ka nxjerrë thikën. Ai e ka goditur Cubin me thikë në qafë duke e mbajtur për krahu, duke i shkaktuar rrjedhje të shumtë gjaku dhe një plagë që, sipas mjekëve, është cilësuar e rrezikshme për jetën.
Ndonëse Cubi është tërhequr, madje është përpjekur të mbrohet dhe duke e penguar me këmbë, pasi është rrëzuar në tokë nga plaga e marrë, viktima e ka goditur dhe dy herë të tjera me thikë. I rrëzuar dhe në pozicion mbrojtës, Cubi ka nxjerrë pistoletën që e kishte me leje dhe e ka qëlluar një herë në gjoks Dodë Hilin, duke i shkaktuar vdekjen.
Pastaj Cubi ka humbur ndjenjat prej plagës që kishte në qafë dhe është dërguar në spital ku, sipas mjekëve, ka mundur të shpëtojë prej faktit që spitali ishte afër dhe salla e operacionit ishte gati, pasi do të operonin një person tjetër. Plagët që viktima i ka shkaktuar Sokol Cubit janë cilësuar nga mjekët njëra e rrezikshme për jetën dhe dy të tjerat plagë jo të rrezikshme.
Gjykata në vendimin e saj ka theksuar se "i pandehuri Sokol Cubi ka qenë në kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Gjykata ka hedhur poshtë si të pabazuar në prova pretendimin e prokurorisë e cila pohon se i pandehuri e ka kryer vrasjen duke kaluar kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
"Në kushtet dhe rrethanat qe ka ndodhur ngjarja, çdo person do të kishte vepruar si i pandehuri për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tij. Viktima e ka goditur disa herë në qafë Cubin në arterien kryesore, e për pasojë, çdo person do të kundërvepronte në këto rrethana",- u shprehën togat e zeza.
Marrëdhëniet mes familjes së viktimës dhe Sokol Cubit janë normalizuar dhe kjo është pohuar në gjykatë nga vëllai i viktimës, por dhe nga të tjerë që kanë ndërhyrë për mbylljen e problemit të krijuar mes dy palëve pas vrasjes së Dodë Hilit. A.Dushi