E Diel, 1 Nëntor 2026

Asambleja e PS-së i propozon qeverisë paketën antikrizë: Ulje e taksave për 18 muaj

 Aristir LumeziSocialistët i propozuan dje qeverisë për herë të parë një paketë antikrizë. Asambleja Kombëtare e Socialistëve miratoi dje në unanimitet një rezolutë, e cila jep rrugët konkrete me të cilat synohet frenimi i krizës ekonomike. Në të kundërt, sipas selisë rozë, kriza do të jetë e pashmangshme dhe shkatërruese për ekonominë dhe buxhetet familjare të shqiptarëve. Pasi shpreh shqetësim për gjendjen e rënduar ekonomike dhe financiare të vendit, e cila ka ardhur sipas selisë rozë dhe nga shifrat e trukuara të të dhënave ekonomike, Partia Socialiste shprehet se vendi është sot  thellësisht i tronditur si rezultat i keqqeverisjes, reformave të munguara, keqmenaxhimit të krizës së mohuar për qëllime elektorale, mosfunksionimit të administratës publike, paralizës së sistemit gjyqësor, shpërdorimeve të mëdha të financave publike dhe korrupsionit të thellë që ka prekur çdo qelizë të shtetit.“Viti 2009 po mbyllet me një frenim të përgjithshëm të ekonomisë dhe një rritje negative ekonomike. Shqiptarët sot ballafaqohen me rritje të përditshme të kostos së jetesës, rritje të faturës së energjisë, shtrenjtimin e ushqimeve, pagesat gjithnjë e më të larta për shërbimet shëndetësore dhe për arsimimin e fëmijëve”, shprehet rezoluta e Asamblesë Kombëtare. Por për herë të parë, socialistët jo vetëm evidentojnë defektet, por dhe japin propozimet konkrete se si mund të përballohet dhe të dilet nga kjo situatë. PS kërkon të rishikohet buxheti i vitit 2010, i cili sipas saj është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. “Kjo rritje jo realiste përbën një kërcënim të hapur për stabilitetin makroekonomi”. PS kërkon gjithashtu        të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit. PS kërkon një ulje të përkohshme 12 – 18 mujore e taksave mbi biznesin, e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit. Asambleja Socialiste kërkoi ndërhyrje dhe në fushën e politikave monetare që kanë lidhje me politikat e bankës së Shqipërisë. Konkretisht rezoluta i kërkon bankës të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit, si dhe të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtësojnë çngrirjen e likuiditetit. Një pikë të fortë në këtë drejtim, socialistët vlerësojnë vlerësimin e lekut. “Banka e Shqipërisë nëpërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe ndërkombëtarët duhet të mbështesë monedhën vendase duke parandaluar, ndaluar spekulimet me synim rikuperimin nga rënia drastike e vlerës së lekut”, thuhet në rezolutën e socialistëve. Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare, socialistët propozojnë një ftesë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë, ku të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza.Paketa anti-krizë e PSNë fushën e politikave fiskale• Të rishikohet Buxheti i vitit 2010, që është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. • Të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit• Të realizohet një ulje e përkohshme 12 – 18 mujore e taksave mbi biznesin Në fushën e politikave monetare • Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit• Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtësojnë çngrirjen e likuiditetit• Banka e Shqipërisë nëpërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe ndërkombëtarët duhet të mbështesë monedhën vendase Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare• Të garantohet pasqyrimi i vërtetë dhe me transparencë i treguesve ekonomike e financiare të vendit me shifra të pamanipuluara për qëllime dritshkurtra partiake, si hapi i parë në pranimin, raportimin dhe frenimin e recesionit shqiptar. • Kjo të shoqërohet me shkëputjen e menjëhershme të INSTAT-it nga varësia e qeverisë dhe kthimit të tij në një institucion të pavarur në varësi të Kuvendit të Shqipërisë;• Të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza;• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh;• Të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. • Të hartohet dhe zbatohet një paketë masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta, veçanërisht investimeve direkte të huaja;• Të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë;• Të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe urgjentisht të përcaktohen masa për indeksim të pensioneve, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera të grupeve në nevojë.Manjani: Asambleja u kthye në OJQAnëtari i Asamblesë Kombëtare, Ylli Manjani, tha dje pas mbledhjes së këtij forumi se u vërtetua ajo që kishte shprehu kohë më parë, se PS është kthyer në një OJQ. “Më duhet të pranoj që jam absolutisht shumë i palumtur se parashikimi që kisha bërë në mbledhjen e fundit të Asamblesë që PS është kthyer në OJQ, u vërtetua sot. U vërtetua sot me diskutimet të mërzitshme dhe të tejzgjatshme, të tipit OJQ të modelit të vjetër, ku nuk u tha asgjë e re në thelb, nuk u dha asnjë zgjidhje nga shqiptarët”, tha Manjani. Sipas tij, ajo që priste nga mbledhja e asamblesë ishte përcaktimi i strategjisë se si PS nuk do lejojë më këtë qeveri të qeverisë. “Prisja sot për të diskutuar se çfarë do të bëjmë për të bashkuar të majtën dhe për të bashkuar forcat se si do të vijnë në pushtet dhe jo për të diskutuar pafundësisht për tema të vjetra që nuk na çojnë asgjëkundi”, u shpreh Manjani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›