E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Shqipëria në krizë të plotë ekonomike në 2010

 Aristir Lumezi“Në 2010 Shqipëria do të jetë në një krizë të plotë ekonomike”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve, e cila u mblodh ekskluzivisht për krizën ekonomike, bëri një analizë të gjatë situatës ekonomike në vend dhe propozoi dhe disa zgjidhje të saj. Rama akuzoi se “përgjegjës është kryeministri i papërgjegjshëm Sali Berisha, që shtoi pasojat e krizës duke shtuar borxhet dhe duke lënë vendin në errësirë pa marrë asnjë masë antikrizë”. “Viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike në Shqipëri, të cilën ne e kemi paralajmëruar, por këmbana jonë dhe e ndërkombëtarëve nuk u dëgjua nga qeveria...Viti 2010 do të jetë viti i pagesës së faturave të papërballueshme, që po ia lë trashëgim kjo qeveri. Viti 2010 do të jetë një vit i krizës ekonomike e projektuar me kohë me rritje ekonomike pa prodhim të qeverisë”, u shpreh Rama. Kreu socialist tha se “ekonomia shqiptare kërkon një model të ri zhvillimi”. “Shqipëria nuk mund ta mbështesë më tutje zhvillimin e ekonomisë në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti, mungesa e prodhimit dhe tulla e llaçi. Dërgesat e emigrantëve kanë rënë dhe do të bien akoma më shumë në të ardhmen, jo vetëm për shkak të krizës së vitit të ardhshëm, por edhe të rrjedhës natyrale të gjërave”, u shpreh Rama. Kreu socialist bëri të ditur sesa është shtrirë kriza në vend, por edhe në ç’mënyrë u kanoset kjo krizë familjeve shqiptare për vitin 2010. Rritja e çmimit të energjisë, zhvleftësimi i lekut, ulja e dërgesave të emigrantëve, toka e papunuar dhe braktisja e fshatit, mos rritja e pensioneve, etj, ishin disa nga problemet që Rama ka ngritur para anëtarëve të Asamblesë së partisë së tij. “Një nënë nuk do ketë mundësi të shohë gjendjen e fëmijës në barkun e saj, pasi do t’i duhet të paguajë 15 mijë lekë për ta bërë ekon me film. Imagjinoni një nënë të varfër që nuk ka para për bukë”, u shpreh Rama, sa i përket çmimeve në sistemin shëndetësor. “Një studente me të gjitha 10, që studion për mjekësi, nuk ka mundësi të ndjekë studimet për shkak të rrogës së ulët që ka nëna e saj, i vetmi person i punësuar në familje”, ishte një detaj që Rama solli për fushën e arsimit. “Në fshat po ndodh katrahura, në tokën ku duhet të mbillet fara po ndodh e pakonceptueshmja, llaç e tulla”, u shpreh Rama, sa i përket bujqësisë në vendin tonë. Sipas kreut të socialistëve, qeveria me familjen kryeministrore dhe etjen për pushtet risjell para ndërkombëtarëve vetëm shifra të manipuluara. Në analizën e gjatë kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kriza ekonomike po kanos çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Duke fshehur varfërinë e duke shtuar taksat, qeveria po shkurton ndihmën ekonomike. Ndërkohë që invalidët prej muajsh nuk marrin pagat e tyre”, theksoi Rama. Ndër të tjerash, Rama tha se Partia Socialiste do të paraqesë një rezolutë për masat që duhet të merren gjatë vitit 2010. Ai ka përmendur disa faktorë, sipas të cilit tregojnë se ekonomia shqiptare është në krizë. “Kjo nuk është një krizë e ngjashme me krizën kapitaliste ndërkombëtare. Kriza shqiptare e ekonomisë, është kriza e një demokracie pa konkurrencë”, tha më tej kreu socialist. Ai i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha, që të luftojë monopolet, para se ato të fundosin ekonominë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›