Bode: Rama dhe emisarët e tij u përpoqën të destabilizojnë bankat
Ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshtë dje konkluzionet e Asamblesë Kombëtare socialiste rreth situatës ekonomike në vend. Sipas tij, vendi ka një rritje ekonomike dhe stabilitet financiar. Bode i konsideroi të pavërteta deklaratat e socialistëve. “Për gjatë gjithë vitit 2009, Rama dhe emisarët e tij të dështuar u përpoqën të krijojnë në opinionin publik ndjesinë e një krize të thellë në ekonominë shqiptare. Ata u përpoqën që ta destabilizojnë sistemin financiar, duke ngritur parrullat e falimentimit të sistemit bankar dhe të pasigurisë së depozitave”, u shpreh kreu i financave. Për t’iu përgjigjur këtyre deklaratave, Bode solli në vëmendje disa raporte të institucioneve ndërkombëtare. “Janë disa raporte të njëpasnjëshme të emetuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga Banka Botërore dhe Agjencitë e saj, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nga Komisioni Evropian, të cilat sanksionojnë se ekonomia shqiptare ishte ndër të paktat ekonomi evropiane që qëndroi jashtë vorbullës së krizës më të thellë ekonomike që ka njohur bota që nga vitet ’30. Të gjitha këto raporte konfirmojnë një rritje ekonomike për ekonominë shqiptare gjatë vitit 2009, e vlerësuar me nuanca nga variantet më pesimiste drejt atyre më optimiste që shkojnë nga 2-5% rritje për gjatë vitit 2009”, u shpreh ministri. Sipas tij, në këtë situatë pozitive kanë ndikuar dhe politikat fiskale të qeverisë. “Politikat fiskale të qeverisë, në raport me krizën kanë qenë të drejtpërdrejta mbi biznesin përmes uljes së taksës së punës me një katërtën e saj. Përmes reduktimit dhe heqjes së një sërë tarifash të tjera dhe nga ana tjetër përmes rritjes së rolit aktiv të buxhetit të shtetit ne ekonomi, duke e çuar vëllimin e investimeve publike për vitin 2009 në 10% në nivelin më të lartë në të gjithë rajonin”, u shpreh Bode. duke folur për investimet, Ministri i Financave tha se “qeveria shqiptare nisur nga pritshmëria e presioneve të krizës financiare globale administroi me kujdes të ardhurat nga privatizimet, si edhe doli në tregun ndërkombëtar për 200 milionë euro, duke injektuar mbi 500 milionë euro në ekonominë shqiptare në kompensim të burimeve të tjera të financimit që mund të vinin nga sistemi bankar apo nga reminitancat”.