Lohan e dy ambasadorë të BE-së takojnë Ramën
Pas deklaratës së Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama, për të vijuar bojkotin por mbi të gjitha për paraqitjen në Kuvend të projektligjit për hetimin parlamentar, në orët e pasdites në selinë e PS-së kanë mbërritur përfaqësues të Trojkës Evropiane në Tiranë. Pak pas orës 17:00, i pari që ka hyrë në selinë e Partisë Socialiste ka qenë kreu i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, dhe pas tij dhe ambasadori spanjoll Manuel Montobio. Rreth orës 18:00 ka mbërritur dhe përfaqësuesja e Suedisë në vendin tonë. Në takimet e zhvilluara me dyer të mbyllura ka qenë i pranishëm vetëm kreu i PS-së Edi Rama, ndërkohë që burimet jozyrtare bëjnë të ditur se temë e bisedës ka qenë bojkoti opozitës. Komisioni Evropian pritet të publikojë të mërkurën progres raportin mbi zhvillimet në Shqipëri, ku një ndër çështjet më të rëndësishme janë zgjedhjet e qershorit 2009, si dhe vendimi i socialistëve për të mos njohur këto zgjedhje.