E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja me ambasadorë

Përfaqësimi i Kosovës jashtë duket se është një punë mjaft e vështirë. Institucionet e vendit tash e sa muaj nuk po mund t’i gjejnë dy diplomatë për t’i dërguar në Slloveni dhe Shqipëri. Zëvendësministri Ibrahim Gashi thekson se emërimet do të ndodhin më së largu në fund të vitit. Kurse ish-Ministri Skënder Hyseni thotë se vonesat kanë të bëjnë me matematikat e koalicionit qeverisës.

Institucionet e Kosovës ende nuk kanë mundur të gjejnë asnjë emër për ambasador të Kosovës në Shqipëri dhe Slloveni.

Këto dy poste kanë mbetur të zbrazëta prejse Gazmend Pula dhe Anton Berisha u larguan nga postet e ambasadorëve. I pari ka dhënë dorëheqje në gusht të vitit 2010, ndërsa Berisha katër muaj më vonë.

Gjatë gjashtë muajve të qeverisjes PDK – AKR nuk ka pasur asnjë lëvizje në stafin e lartë të diplomacisë.

Premtime se do të ketë emërime të reja dhe lëvizje në stafin diplomatik të Kosovës i jep Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi.

“Ne presim shumë shpejt, realisht presim shumë shpejt, kur them shumë shpejt, duhet pasur parasysh se kemi edhe prioritet tjera si shtet. Unë jam më se i sigurt se deri në fund të këtij viti do të kemi të plotësuara vendet vakante dhe eventualisht ndonjë ndryshim”, ka thënë Gashi për Express, të shtunën.

Krejt këto vonesa për plotësimin e vendeve të lira të ambasadorëve, ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni i sheh si rezultat i joseriozitetit të koalicionit qeverisës.

“Është totalisht joserioze sepse ju e dini se Ligji për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor të Republikës së Kosovës është amandamentuar para një kohë shumë të gjatë dhe që nga ajo kohë Qeveria i ka pasur duart e lira që të bëjë emërimin e ambasadorëve, përkatësisht plotësimin e vendeve vakante të ambasadorëve”, ka shpjeguar Hyseni.

Vonesat në emërimin e ambasadorëve, Zëvendësministri Gashi thotë se kanë ndodhur për shkak të prioriteteve tjera.

Por, a nuk është prioritet qeveritar plotësimi i vendeve të ambasadorëve?

“Natyrisht edhe kjo nuk është e parëndësishme, por konsideroj se po të bëhej shpejt gjatë muajit nëntor, atëherë jemi brenda një afati kohor sepse nuk është e lehtë përzgjedhja e një ambasadori. Vendet vakante kanë mbetur në mënyrë të përnjëhershme dhe duhen disa muaj për përzgjedhjen e një ambasadori të mirë”, përgjigjet Gashi.

Ai premton se deri në fund të këtij viti do të ketë emërime të reja dhe lëvizje brenda stafit diplomatik.

“Qeveria nuk është vonuar, por nuk ka edhe shumë kohë që t`i shtyjë përzgjedhjen e këtyre ambasadorëve. Mendoj se shumë shpejt do ta bëjë këtë. Disa lëvizje do të ndodhin, por sa dhe cilat do të jenë ato, unë nuk mund t`i them sepse nuk është në kompetencën time”, ka deklaruar ai.

I pyetur se a kanë ndikuar mospajtimet e koalicionit për emrat partiakë për t`i emëruar në postet e ambasadorëve, Gashi ka thënë se nuk është kjo arsye e shtyrjes së emërimeve të reje.

“Nuk mund të them diçka të tillë, sepse nuk e besoj se ka qenë kjo arsyeja e shtyrjes”, ka deklaruar ai.

Por, Skender Hyseni thotë se shtyrjet po ndodhin për shkak të matematikave politike në emërimet e diplomatëve.

“Unë kam frikë se këtu bëhet fjalë për matematika jo shumë të dobishme politike – matematika joracionale politike dhe kjo është shndërruar mbase në pengesë të emërimit, përkatësisht të avancimit të të ngarkuarve aktualë me punë sepse ka kohë që në Çeki, Shkup dhe disa vende kemi të ngarkuar me punë për arsye se pritej aprovimi i amendamenteve të Ligjit për Shërbim konsullor dhe diplomatik dhe këta të ngarkuar me punë, që janë nga fillimi i misioneve, do të duhej të ngriheshin dhe avancoheshin në nivel në status ambasadori”, ka treguar ai.

Prej muajit gusht të vitit 2010, ligji ia mundëson Qeverisë të emërojë ambasadorët pa konkurs. Tash procedura niset nga propozimi i Kryeministrit, kalon nëpër Komisionin për Politikë të Jashtme, i cili jep një qëndrim dhe kthehet te Shefi i Qeverisë, i cili bashkë me Presidentin e vendit vendosin përfundimisht për emrin e njeriut që do të përfaqësojë shtetin jashtë.

Kjo mundësi më e thjeshtë e emërimit të stafit diplomatik nuk është shfrytëzuar ende, edhe pse janë bërë një vit prej se është ndryshuar Ligji për Shërbimin Diplomatik dhe Konsullor.

Ibrahim Gashi i MPJ’së thotë se nuk është e lehtë të gjendet dikush për ta bërë ambasador, përkundër lehtësive ligjore për të emëruar diplomatët e Kosovës.

“Nuk është e lehtë përzgjedhja e një ambasadori. Vendet vakante kanë mbetur në mënyrë të përnjëhershme dhe duhen disa muaj për përzgjedhjen e një ambasadori të mirë”.

Veç kësaj, Kosova përfaqësohet në Maqedoni dhe Çeki me të ngarkuar me punë e jo me ambasadorë për shkak se Qeveria nuk ka marrë ende vendim për avancimin e posteve të tyre.

Kohë më parë, Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, pati paralajmëruar se do të ketë lëvizje të ambasadorëve, pasi tashmë është bërë vlerësimi i detajuar i punës së të gjitha ambasadave të Kosovës në botë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›