E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule ia përsërit kushtet Serbisë

Stefan Fule ua bëri me dije autoriteteve në Serbi se Komisioni Europian nuk do të rekomandojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, pa arritur progres në dialogun me Kosovën. Presidenti Boris Tadic tha se vendi i tij është i gatshëm të vazhdojë dialogun, pa përmendur kushtëzimet që Serbia i ka bërë deri më tani.

Komisioni Europian ua ka bërë me dije edhe një herë autoriteteve në Beograd se nuk do të rekomandojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, pa shënuar përparime në dialogun me Kosovën.

Këtë porosi, në Serbi e ka çuar vetë Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, dy ditë pasi në Bruksel shpalli vendimin e Komisionit që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Fule ka takuar zyrtarët më lartë serbë, Presidentin Boris Tadic dhe Kryeministrin Mirko Cvetkovic, të cilëve u ka thënë se tani topi është në oborrin e Serbisë.

"Kur është fjala për Serbinë, nuk ka as pesë, e as shtatë prioritete kyçe, por vetëm një, i cili mbetet mes Serbisë dhe hapjes së negociatave, e kjo është zgjidhja e çështjes së Kosovës. Dialogu duhet të vazhdojë“, ka thënë Fule të premten në Beograd.

Në mënyrë që Serbisë t’i rekomandohet edhe data për fillimin e negociatave për anëtarësim, Fule ka sqaruar se nuk ka nevojë të pritet viti i ardhshëm.

Ai ka thënë se pasi Serbia të bëjë progres të dukshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Komisioni do të japë rekomandim pozitiv për hapjen e bisedimeve.

"Topi është në oborrin e Serbisë, dialogu me Prishtinën është prioritet kyç“, ka thënë Komisioneri Fule.

Kur është pyetur se çka do të ndodhë nëse Prishtina pamundëson dialogun, Fule ka thënë se për dialog gjithmonë duhen dy palë dhe se është duke u punuar në drejtim të asaj që të krijohet klima për dialog dhe për mirëbesim.

Komisioni Europian i ka kërkuar Serbisë në mënyrë specifike respektimin e parimeve të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, respektimin e plotë të provizioneve të Traktatit të Energjisë. Po ashtu, thuhet se Serbia duhet të gjejë zgjidhje për telekomunikacionin dhe pranimin reciprok të diplomave, duhet të zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura si dhe të bashkëpunojë në mënyra aktive me EULEX’in, në mënyrë që ky mekanizëm të funksionojë në të gjithë pjesët e Kosovës.

Këto tema pritet të diskutohen në takimet e ardhshme nëse BE’ja arrin t’i ulë palët në tryezë.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka thënë se Serbia do të vazhdojë dialogun me Kosovën, pa përmendur kushtëzimet e deritashme që edhe Veriu të jetë temë e bisedimeve.

Presidenti i Serbisë ka thënë se Serbia do të vazhdojë dialogun me Prishtinë dhe ka theksuar se mbetet një optimist racional.

"Do t’i vazhdojmë reformat, do ta vazhdojmë edhe dialogun me Prishtinën dhe jam i bindur se mund të gjendet zgjidhje. Në këtë kuptim, unë jam optimist racional. Shoh vështirësi në reforma, shoh vështirësi edhe në procesin e dialogut me Prishtinën, shoh edhe nevoja për sqarimin e marrëdhënieve me fqinjët tanë, por është e qartë se Serbia nuk do të heqë dorë nga parimet që i ka vendosur shumë kohë më parë...“, ka thënë Tadic.

Për Kosovën ka folur edhe Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkovic, i cili ka thënë se është i lumtur që Komisioni Europian nuk ka vendosur më shumë kushte, përveç Kosovës.

Ai ka theksuar se këto janë kushte për të cilat Serbia është duke punuar në pajtim me kushtetutën e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›