E Diel, 1 Nëntor 2026

Loja me çmimet e ushqimeve, Ministria e Bujqësisë njofton ulje me 3 për qind

INSTAT-i ka raportuar për një rritje prej 1.1 përqindësh. Rritja e çmimeve të ushqimeve raportohet edhe nga BSH-ja

Ervin Koçi

Edhe pse ushqimet kanë mbajtur çmime konstante këto ditë në tregjet e vendit, pas rritjeve më të fundit, Ministria e Bujqësisë raporton për një ulje të re të çmimeve. Duke dalë jashtë parashikimeve dhe konstatimeve të bëra prej dy institucioneve të afirmuara në këtë proces (kontrollit të çmimeve të tregut), që janë INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë, Ministria e Bujqësisë jep konstatimet e saj të cilat si për hironi shkojnë jashtë të gjitha raporteve të fundit mbi çmimet ushqimore. Kështu, sipas MBUMK-së, çmimet e shitjes së 56 për qind të ushqimeve kryesore që tregtohen në vend, në fund të kësaj jave kanë shënuar një ulje mesatare me rreth 3 për qind kundrejt javës së kaluar. Nga informacioni i drejtorisë së statistikës dhe politikave të zhvillimit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, rezulton se çmimet janë ulur kryesisht për prodhimet bujqësore, ndërkohë që produktet e bulmetit djathë, gjalpë dhe nënproduktet e mishit janë shitur me çmime relativisht të pandryshuara kundrejt një jave më parë. Tendenca e rritjes së çmimit deri në 1 për qind, sipas specialistëve të bujqësisë, konstatohet për frutat e agrumet që vijnë nga importi, si dhe për disa nga produktet që janë në fund të sezonit të prodhimit. Duke iu referuar të dhënave statistikore, Ministria e Bujqësisë e argumenton këtë fakt me rritjen e progresive që po shënon prodhimi bujqësor vendas. Sipas MBUMK-së, “gjatë këtij viti fermerët kanë rritur interesin për të mbjellë tokat e tyre ose të marra me qira, produkte bujqësore, mbështetur kjo dhe nga zbatimi i projektit të subvencionit që po zbatohet për të dytin vit radhazi me një fond prej 10 milionë dollarësh, akorduar nga buxheti i shtetit”.

Përplasja e shifrave

Shifrat e pasqyruara nga Ministria e Bujqësisë për një ulje të çmimeve të produkteve të konsumit kanë një përplasje me raportin më të fundit të paraqitur nga INSTAT-i. Në Indeksin e Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2008, INSTAT-i ka raportuar për një rritje prej 1.1 për qind, krahasuar me muajin e kaluar (Gusht 2008). Vet drejtoresha e Informacionit në INSTAT, Alketa Spartaku, tha në një konference për shtyp se, “indeksi i grupit ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’, shënoi një rritje prej 2.1 për qind. Brenda këtij grupi rritja me e madhe prej 7.1 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Ndërkohë që rritje çmimesh vërehen edhe në nëngrupet “mish” me rreth 2.9 për qind, “buke e drithëra”, 2.5 për qind më i lartë dhe “qumësht djathë e vezë”, 1.3 për qind më shumë. Gjatë këtij muaji rritje të lehtë shënon dhe indeksi i çmimit edhe për grupin “Pije alkoolike dhe duhan” me rreth 1.3 për qind, “Veshje dhe këpucë” me rreth 0.3 për qind dhe “Argëtim kulturë” me një rritje 10.2 për qind.

Çmimet e karburanteve

Sipas INSTAT-it, një ulje të lehtë gjatë këtij muaji ka pësuar çmimi i nëngrupin naftë, që është ulur me 3.3 për qind dhe benzina, që është shitur me 2.8 për qind më lirë gjatë Shtatorit, kundrejt një muaji më parë. Në muajin Shtator 2008, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në grupin “Komunikim” shënoi një ulje prej 9.1 për qind, kundrejt një muaji më parë. Sipas INSTAT, në këtë rënie, ndikoi kryesisht, ulja e çmimit t karburanteve në bursat ndërkombëtare, si dhe ulja e tarifave të telefonisë celulare në vend me 13.4 për qind në muajin shtator.

19 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›