Privatizimi, kualifikohen 8 kompani për INSIG-un
Tetë kompani janë në garë për privatizimin e INSIG-ut, kompanisë shtetërore të sigurimeve. Faza parakualifikuese ka përfunduar më 10 shtator. Sipas burimeve zyrtare, kompanitë kanë hyrë në fazën e ndërmjetme të privatizimit që do të zgjasë deri në nëntor, kur parashikohet të zhvillohet tenderi. Kompanitë kanë eksperiencë në tregun e sigurimeve dhe primet e tyre variojnë nga 200 milionë euro në 12 miliardë euro. Kompanitë në këtë fazë të ndërmjetme kanë nënshkruar marrëveshjen konfidenciale, ku zotohen se nuk do të nxjerrin të dhënat e INSIG-ut si dhe memorandumin e mirëkuptimit dhe informacionit. Sipas burimeve, gjatë kësaj faze kompanitë do të japin një çmim ofertues, i cili shërben si shkallë sigurie për pjesëmarrje në tender dhe si testues për ofertën përfundimtare që do të jepet. Tetë kompanitë janë njohur me bilancet financiare dhe asetet e INSIG-ut, jo vetëm për degën në Shqipëri, por edhe filialet në Kosovë dhe Maqedoni. Këto të dhëna do të shërbejnë për të dhënë ofertën përfundimtare në tenderin e nëntorit.
Eksportet dhe importet në Portin e Durrësit me volum të njëjtë në 9 muaj
Në fund të 9 muajve të këtij viti, transporti i mallrave me tragete, kryesisht për udhëtarët e linjave detare, është dyfishuar, duke arritur në një vëllim prej rreth 1 milion tonë mallra gjithsej, sasi e njëjtë me shkëmbimin e mallrave në hyrje dhe në dalje nga Porti detar i Durrësit. Për këtë periudhë, eksporti i mallrave me tragete u rrit 279 për qind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Por dhe importi i mallrave me tragete, u rrit 163% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007, kryesisht nga portet italiane të Barit, Ankonës, Triestes, drejt Durrësit. Gjatë kësaj periudhe, kompanitë e lundrimit kanë vënë 19 tragete në dispozicion të lëvizjes detare, të cilat kanë kryer 1.308 lundrime gjithsej, ose 45 për qind më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Me tragete janë transportuar 50.597 kamionë dhe trajlera me 933.045 ton mallra gjithsej, me një rritje prej 475 mijë ton, ose dyfishi, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Gjatë 9 muajve, përmes trageteve, u transportuan rreth 32 për qind të vëllimit të përgjithshëm të mallrave të përpunuara në kalatat e Portit të Durrësit.
19 Tetor 2008