Haradinaj paralajmëron zgjedhje të reja, me gjithë vendimin e Presidentit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, paralajmëroi në Mitrovicë formimin e qeverisë së re brenda këtij viti, me gjithë deklaratën e Presidentit Sejdiu, se zgjedhjet e reja të përgjithshme nuk kanë shanse të zhvillohen këtë vit, por vetëm në vitin 2011, sipas mandatit kushtetues. “Qeveria e re do të krijohet sivjet dhe do të shtrihet deri në Albanik”, tha ai. Haradinaj hodhi akuza mbi qeverinë “Thaçi” si të paaftë në menaxhimin e gjendjes së sigurisë, rendit dhe ligjit. Ndërkohë në Mitrovicë, në takimin e Komitetit për Siguri, kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se gjendja në veri të Mitrovicës është duke u përmirësuar. Rexhepi shfaqi shpresën se së shpejti do të ketë përmirësime edhe sa i përket funksionalizimit të Gjykatës së Qarkut, si dhe vendosjen dhe fillimin e punës së doganave në dy pikat kufitare në veri. Ai ka akuzuar grupet serbe për provokimet e herë pas hershme, me qëllim nxitjen e destabilizimit të situatës. Duke dënuar shpërthimet e mbrëmjes së shtunë, Rexhepi tha se strukturat e sigurisë duhet të veprojnë dhe të arrestojnë personat që janë duke bërë incidente në veri, pavarësisht përkatësisë etnike. “Është koha që t’u bëhet me dije kriminelëve se ata nuk janë të paprekshëm. Policia duhet të arrestojë personat e identifikuar që bëjnë incidente dhe trazira në veri dhe t’i nxjerrë ata para drejtësisë”, tha Rexhepi.