Ahmeti: Kushtetuta çon shqiptarët në presidencë
Politikanë shqiptarë në Maqedoni, në prag të zgjedhjeve presidenciale kanë shprehur mundësinë e kandidimit të një shqiptari për postin e Presidentit maqedonas, pasi Kushtetuta e këtij vendi nuk e ndalon një praktikë të tillë. Deklaratën e ka bërë kreu i partisë përfaqësuese të shqiptarëve në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim. Gjatë një takimi me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi në Prishtinë, Ahmeti tha se “Maqedonia si shtet shumetnik ofron shanse edhe për komunitetin shqiptar. Tani ne jemi duke analizuar e studiuar rrethanat. Jo vetëm president, por pse mos të jetë një kryeministër shqiptar”. Ndërkohë që përmendi të drejtat kushtetuese, Ahmeti nuk dha detaje nëse dikush prej politikanëve shqiptarë nga partia e tij apo një tjetër shqiptare, do të kandidojë si president në zgjedhjet e marsit. Lideri i BDI-së shpresoi për zhvillimin e zgjedhjeve të qeta e demokratike në Maqedoni. Në lidhje me këtë, Kryeministri Thaçi nuk u deklarua, por tha se “Maqedonia është vendi i të gjithëve, pra përgjigjen mund ta japin vetë qytetarët e Maqedonisë”.