E Diel, 1 Nëntor 2026

Francë, Spanjë, mijëra familje pa drita nga stuhitë e forta

 

Është rritur bilanci i viktimave të provokuara nga moti i keq në Francë dhe Spanjë, duke arritur në 24. Franca ka regjistruar stuhinë më të keqe të dhjetë viteve të fundit. Stuhia ka marrë 9 jetë njerëzish në pjesën perëndimore të këtij shteti. Erërat kanë arritur shpejtësinë 184 km/h, duke shkaktuar edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në rreth 700 mijë shtëpi. Shumë prej tyre kanë mbetur edhe pa furnizim me ujë.  Në fillim të uraganit ishin rreth 1,7 milionë shtëpi të mbetura pa energji elektrike. Situata nuk po përmirësohet dhe shirat vazhdojnë të bien me rrebesh. Zyra Kombëtare Meteorologjike franceze ka vënë alarmin për 24 orët e fundit, duke paralajmëruar edhe dallgë të forta me lartësi disa metra. Qeveria franceze ka futur në punë 1,000 trupa ushtarake, për të pastruar rrugët dhe sistemuar linjat elektrike. Ndërkohë situata vazhdon të jetë e rëndë edhe në Spanjë. 50 mijë njerëz janë pa energji elektrike në Galicia, Katalonjë dhe vendet Baske për shkak të stuhisë së fortë në Gadishullin Iberik, Francë dhe Itali gjatë ditëve të fundit. Në Spanjë numri i viktimave ka shkuar në 14. Ndërsa mbi 2,000 njerëz kanë marrë pjesë në funeralin e katër fëmijëve, të cilët humbën jetën pas rënies së një çatie në një qendër sportive pranë Barcelonës. Gjendja meteorologjike është shumë e rëndë në Galicia. Dallgët kanë arritur lartësinë 8-9 metra. Meteorologët paralajmërojnë sërish mot të keq në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›